
Ahmeti premton për Lipjanin parkingun nëntoksor dhe ndërtimin e tualeteve publike
Kryetari aktual, njëherësh kandidati për të parin e Lipjanit nga radhët e LDK-së, Imri Ahmeti po u premton qytetarëve të kësaj komune se do të ndërtojnë parkingun nëntokësor dhe parkun qendror.
Ahmeti ka thënë se parkingun qendror do të ndërtohet nën hapësirën ku ndodhet objekti i vjetër i komunës dhe në hapësirën për-rreth tij.
Sipas tij, në kuadër të parkingjeve do të përfshihet edhe ndërtimi i tualeteve publike.
“Parkingu qendror do të ndërtohet nën hapësirën ku ndodhet objekti i vjetër i komunës dhe në hapësirën për-rreth tij, duke e përfshirë edhe një pjesë të konsiderueshme të hapësirës së parkingut të tanishëm. Parkingu do të ketë sipërfaqe të përgjithshme 8000m², ku do të ndërtohen rreth 300 vendparkingje, parkingu do të ketë dy hyrje dalje në rrugët kryesore, në kuadër të parkingjeve përfshihet edhe ndërtimi i tualeteve publike”, ka thënë Ahmeti.
Ai thotë se “mbi hapësirën e parkingjeve nëntokësore do të ndërtohen parku modern me sipërfaqe prej 11100 m²”.
Ndryshe në zgjedhjet lokale të 17 tetorit për kryetar të Lipjanit, do të garojë nga LDK-ja Imri Ahmeti, nga AAK-ja Bashkim Budakova, nga LVV-ja Adnan Rrustemi dhe nga PDK-ja Hyzer Rizani. /Zëri