
LDK-ja e akuzoi për blerje të votave me miell në Prizren, LVV-ja e quan shpifje
Pas hapjes së fushatës zgjedhore, kanë nisur edhe akuzat mes partive politike.
Dje dega e LDK-së në Prizren ka akuzuar LVV-në se po blen vota duke shpërndarë miell.
E për këtë, Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prizren sot ka reaguar duke thënë se LDK-ja edhe një herë e ka shpërfaqur “mjerimin e vet”, pasi sipas tyre, moti e ka “humbur rrugën në oborr”.
“LDK-ja në Prizren edhe një herë e shpërfaqi mjerimin e vet, duke treguar se ky subjekt moti e ka humbur rrugën në oborr, e ka humbur logjikën, por edhe shpresën te qytetarët e Komunës së Prizrenit, sepse ka kohë që e ka humbur besimin e qytetarëve”, thuhet në reagim.
Nga LVV-ja kanë thënë se LDK-ja ka shpifur rreth keqpërdorimit të buxhetit të Komunës me blerjen e votave në Prizren.
“Duke qenë e vetëdijshme për këtë, ky subjekt politik dje lëshoi një shpifje, se gjoja ‘po keqpërdoret buxheti i Komunës’, duke ‘blerë vota në këmbim me dy thasë miell’", thuhet ne reagimin e kësaj partie.
Po ashtu, LVV-ja ka treguar se cila është e vërteta, sipas tyre, në këtë çështje.
“E vërteta është se: 1.Mielli i shpërndarë në këtë fshat nuk është blerë nga Komuna e Prizrenit, por është donacion i pranuar nga shoqata bamirëse “Jetimat e Ballkanit”. Pra, nuk ka keqpërdorim të buxhetit komunal. 2. DPMS-ja, veçanërisht gjatë tërë kohës së pandemisë, edhe kur drejtor i kësaj Drejtorie ishte nga radhët e LDK-së, vazhdimisht ka shpërndarë pako ushqimore dhe higjienike, si dhe për dru për ngrohje, edhe pse ishte fushata zgjedhore e vitit 2019”, theksohet më tej në reagimin e LVV-së.
Sipas kësaj partie, “kjo nuk është hera e parë që LDK në Prizren po mundohet t’i vë në lajthitje qytetarët me shpifje dhe dezinformata në FB, për të fituar terren në kohë pandemie”. /Zëri