
Jashari viziton QKMF-në dhe qendrën e vaksinimit në Skenderaj, bën thirrje për vaksinim
Kryetari i Skenderajt, njëherësh kandidat edhe për një mandat në këtë komunë, Bekim Jashari ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare si dhe qendrën e vaksinimit.
Jashari ka thënë se stafi shëndetësor në QKMF-në e Skenderajt po bën punë të mrekullueshme në trajtimin e personave të prekur me COVID-19 edhe pse sipas tij në numër të reduktuar të stafit.
Reduktimi i stafit shëndetësor në Skenderaj, Jashari thotë se vjen si pasojë e politikave të gabuara të nivelit qendror.
“Që nga shfaqja e pandemisë vitin e kaluar, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare dhe qendrat tjera janë duke bërë një punë të mrekullueshme në trajtimin e personave të prekur nga COVID-19, ani pse në numër të reduktuar të stafit, si pasojë e politikave të gabuara të nivelit qendror”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Nga QKMF-ja dhe Qendra e Vaksinimit, Jashari u ka bërë thirrje qytetarëve për vaksinim.
“Nga QKMF-ja dhe Qendra e Vaksinimit bëmë thirrje për vaksinim, për të parandaluar përhapjen dhe rreziqet e kësaj pandemie globale”, tha ai.
Ai theksoi se “si Kryetar i Skenderajt do të vazhdoj të angazhohem maksimalisht në avancimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e komunës sonë në të gjitha institucionet shëndetësore, përmes zgjatjes së orarit të punës, pajisjes me aparatura moderne diagnostike dhe medikamenteve të nevojshme mjekësore”. /Zëri