Rama: Qyteti i Vjetër mund të kthehet në zonë turistike

Rama: Qyteti i Vjetër mund të kthehet në zonë turistike

Zgjedhjet Lokale 2021 September 17, 2021 - 18:00

Pjesa e Qytetit të Vjetër ka qenë gjithmonë tërheqëse dhe e veçantë. Është i nevojshëm një plan rregullativ dhe i hollësishëm për të ruajtur karakterin që ka kjo pjesë.

Kështu është shprehur Përparim Rama, kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Prishtinës pas një vizite që i ka bërë kësaj zone ku ka takuar banorët e Qytetit të Vjetër.

“Telat e rrymës që shkaktojnë rrezik, trafiku i madh që shkakton tollovi, mungesa e parkingjeve, çerdhet, shkollat janë disa nga problemet të cilat ka kjo lagje. Kjo lagje ka mungesë të madhe të çerdheve publike por ka mjaft private. Shumë familje nuk kanë mundësi të paguajnë një çerdhe private, andaj ne si qeveri lokale do t’i japim një plotësim prej 70 eurove të gjithë atyre prindërve që janë të detyruar t'i dërgojnë fëmijët në çerdhet private në këtë lagje”, është shprehur Rama.

Sipas tij, edhe orari i shkollave duhet të jetë nga ora tetë deri në katër pasdite.

“Duhet kurrikulum shtesë për art, sport, kulturë, kodim, debate, fjalime publike, e mendim kritik, këto janë shkathtësitë e vërteta që do t'i përcjellin tërë jetën. E shoh këtë zonë me potencial të madh ku mund të zhvillohet aspekti i turizmit. Falënderojmë Donatin, Erën dhe Mirfanin për organizimin! Të gjithë së bashku për Prishtinën me karakter unik në botë”, theksoi në fund kandidati i LDK-së, Përparim Rama. /Zëri