
KMDLNJ-ja, thirrje për fushatë të qetë zgjedhore
Pasi zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor dhe që nga dje fushata zgjedhore vetëm se ka filluar, Këshilli për Mbrojtjen dhe Lirinë e të Drejtave të Njeriut, përmes një deklarate për media, ka bërë thirrje për një fushatë të qetë, duke respektuar masat anti-COVID.
“Më 17.10.2021 në Kosovë do të mbahen zgjedhjet lokale përkundër situatës së rënduar epidemiologjike të shkaktuar nga virusi ‘Delta’ e që thuajse çdo ditë dhjetëra qytetarë humbin jetën, kurse qindra infektohen.
Në këto rrethana mbajtja e zgjedhjeve është përgjegjësi, në radhë të parë e subjekteve politike që garojnë, por edhe e votuesve sidomos ditën kur votohet.
KQZ-ja, si autoritet suprem për organizim të zgjedhjeve në Kosovë, ka përcaktuar një afat prej një muaji për fushatë zgjedhore, gjithnjë duke i respektuar rekomandimet e IKSHPK-së e që në masë të madhe kufizon numrin e pjesëmarrësve , si brenda objekteve të mbyllura, ashtu edhe në mjedise të hapura”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.
Përmes kësaj komunikate gjithashtu KMDLNJ-ja ka kërkuar nga subjektet politike një fushatë të qetë, ku do të përjashtohej mosdurimi, gjuha e urrejtjes, si dhe veprimet që do të kontribuonin në rëndimin e gjendjes, e cila është e keqe në këto rrethana.
KMDLNJ-ja po ashtu ka kërkuar nga subjektet dhe kandidatët për zgjedhje lokale të përqendrohen në program dhe premtime që përfshihen në mandatin e tyre, qoftë si kryetar komune ose asamblistë.
“KMDLNJ-ja kërkon nga subjektet politike një fushatë të qetë ku do të përjashtohej mosdurimi, gjuha e urrejtjes dhe veprimet që do të kontribuonin në rëndimin e gjendjes e cila është e keqe në këto rrethana. Subjektet politike kanë propozuar që fushata zgjedhore të kufizohet në pesë ditë ndërsa disa të tjera kanë propozuar që fushata të bëhet online, pa kontakte fizike me qytetarë, votues potencial. KMDLNJ-ja konstaton se disa subjekte politike dhe kandidatë po bëjnë fushatë një kohë të gjatë dhe i kanë thënë të gjitha ato kanë vlerësuar se paraqesin interes për qytetarin dhe votuesin. KMDLNJ-ja kërkon që subjektet dhe kandidatët për zgjedhje lokale të përqendrohen në program dhe premtime që përfshihen në mandatin e tyre, qoftë si kryetar komune ose asamblistë”.
Tutje, KMDLNJ-ja kërkon nga institucionet përgjegjëse që me rreptësinë më të madhe të mbikëqyrin respektimin e masave anti-COVID, dhe në rast nëse ato nuk respektohen duhet të shqiptojnë dënime shembullore, po ashtu KMDLNJ-ja vlerëson se organizatat që monitorojnë zgjedhjet kanë kapacitet të mjaftueshëm dhe të dëshmuar monitorues dhe profesional të monitorojnë fushatën zgjedhore dhe ditën e votimit, si dhe balotazhin eventual.
Krejt në fund të kësaj komunikate KMDLNJ-ja ka uruar të gjitha subjektet politike me një fushatë të mbarë, votim të rregullt, si dhe pranim të rezultateve të zgjedhjeve siç kanë vepruar edhe më parë, duke shtuar se është e drejtë qytetare dhe e drejtë e njeriut, e drejta për të votuar dhe kjo duhet të shfrytëzohet. /Zëri