KQZ-ja reagon për videon me kutinë e votimit në Rahovec: Ka pasur material jo-sensitiv

KQZ-ja reagon për videon me kutinë e votimit në Rahovec: Ka pasur material jo-sensitiv

Zgjedhjet 2026 June 06, 2026 - 21:03

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje ku shihen dy persona me një kuti votimi, duke sqaruar se materiali i paraqitur në pamje nuk përbën material zgjedhor sensitiv.

Sipas KQZ-së, përmes Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve janë ndërmarrë menjëherë veprime për të verifikuar rrethanat e ngjarjes.

Reagimi:

Pas publikimit të një videoje në rrjete sociale të dy personave me një kuti votimi, Komisioni Qendror i Zgjdhjeve, përmes Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ka ndërmarrë masat për të sqaruar këtë situatë.

Është evidentuar se ngjarja e paraqitur në video ka ndodhur në perimetrin ku është e vendosur Qendra Komunale e Numërimit në Rahovec dhe materiali zgjedhor që shihet në pamje, është material zgjedhor jo-sensitiv, i cili sipas procedurave të parapara shpërndahet një ditë para ditës së zgjedhjeve.

Për vërtetimin e rrethanave të ngjarjes ekzistojnë pamjet e kamerave të sigurisë, të vendosura në pjesën e jashtme të palestrës sportive, pamjet e kamerave të qytetit si dhe prezenca e Policisë së Kosovës në vendin e ngjarjes, të cilat dëshmojnë qartë vendndodhjen dhe rrethanat faktike.

Për qëllime të transparencës dhe sqarimit të plotë të situatës, po bashkangjesim fotografinë e lokacionit ku është realizuar video, nga e cila shihet qartë se ngjarja ka ndodhur në hapësirën e parkingut të palestrës ku është vendosur Qendra Komunale e Numërimit në komunën e Rahovecit.