MPJD-ja falënderon diasporën për pjesëmarrje në votim: Procesi u zhvillua rregullisht
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka falënderuar të gjithë bashkatdhetarët për pjesëmarrjen në procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës.
Në njoftim thuhet se procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me procedurat ligjore, duke reflektuar përkushtimin e qytetarëve ndaj proceseve demokratike.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës falënderon të gjithë bashkatdhetarët tanë për pjesëmarrjen në procesin e votimit pranë përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
MPJD thekson se votimi është zhvilluar pa probleme dhe sipas rregullave të përcaktuara.
“Votimi u zhvillua në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me procedurat ligjore, duke reflektuar përkushtimin e qytetarëve tanë ndaj proceseve demokratike të vendit”, vijon njoftimi.
Ministria ka shprehur mirënjohje edhe për misionet diplomatike dhe institucionet përgjegjëse për organizimin e procesit.
“Mirënjohje për misionet tona diplomatike dhe konsullore për angazhimin e tyre profesional, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për bashkëpunimin e ngushtë si dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës kudo që jetojnë, të cilët edhe kësaj radhe dëshmuan lidhjen e fortë me atdheun dhe rolin e tyre aktiv në jetën demokratike të vendit”, thuhet tutje në njoftim.