Mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë do t’i monitorojnë zgjedhjet e 7 qershorit
Foto: Laura Hasani

Mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë do t’i monitorojnë zgjedhjet e 7 qershorit

Zgjedhjet 2026 June 05, 2026 - 11:00

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

Sipas njoftimit, mbi 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial do të angazhohen në mbarë territorin e Kosovës për të monitoruar procesin zgjedhor dhe për të trajtuar çdo parregullsi të mundshme.

“Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku mbi 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje”, thuhet në njoftim.

Kryeprokuroria thekson se angazhimi i prokurorit të Shtetit synon garantimin e integritetit të procesit zgjedhor dhe mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve.

Njëkohësisht, prokurori i Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve, subjekteve politike, institucioneve dhe organizatave që të raportojnë çdo rast të dyshuar të keqpërdorimit ose manipulimit të votës.

“Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, thuhet më tej në njoftim. /Zëri