Kurti në Suharekë premton mbështetje për bujqësinë, nënat dhe fëmijët

Kurti në Suharekë premton mbështetje për bujqësinë, nënat dhe fëmijët

Zgjedhjet 2026 June 01, 2026 - 21:09

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim zgjedhor me qytetarët e Suharekës, ku morën pjesë anëtarë, simpatizantë dhe përfaqësues të partisë.

Gjatë këtij tubimi u shpalos programi qeverisës i LVV-së, me të cilin synon të fitojë besimin e qytetarëve për të vazhduar qeverisjen edhe për një mandat të ardhshëm.

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, theksoi se fokusi i programit qeverisës do të jetë zhvillimi ekonomik, përmirësimi i infrastrukturës dhe mbështetja e bujqësisë, si sektorë kyç për rritjen e mirëqenies dhe krijimin e mundësive të reja punësimi për qytetarët e kësaj zone.

“Në sektorin e bujqësisë janë ndërmarrë hapa dhe janë dhënë subvencione, ndërsa mbështetja për ta do të vazhdojë. Do të kemi mbështetje edhe për naftën, duke ua hequr akcizën, si dhe mbështetje sipas rendimentit që ata prodhojnë. Po ashtu, do të ketë edhe sigurime në raste dëmesh, në mënyrë që prodhimet tona të eksportohen sa më shumë, të zvogëlohet importi dhe të përmirësohet bilanci tregtar”, theksoi Kurti.

Përveç investimeve në bujqësi, mbështetja u tha se do të vazhdojë edhe për nënat dhe fëmijët. “Në mandatin e kaluar jemi përqendruar te shtresat e popullsisë si dhe te ato fusha veprimtarie që të tjerët i kanë lënë anash: nënat, fëmijët, bujqësia, ushtria dhe veriu.Për herë të parë ofruam mbështtje për nënat lehona dhe fëmijët, ku mbi 100 mijë gra për herë të parë kanë hapur xhirollogaritë e tyre. Kush i ka dy fëmijë do t’i marrë 120 euro, ata me tre fëmijë do t’i marrin 270 euro në muaj, ndërsa ata me katër fëmijë do t’i marrin 360 euro në muaj”, premtoi ai.

Gjatë tubimit u zotuan edhe për fuqizimin e të rinjve dhe krijimin e mundësive të reja për ta, teksa premtuan investime edhe në fusha tjera si në shëndetësi dhe arsim.