Abdixhiku premton paga më të larta, pensione 300 euro dhe moratorium për rrymën

Abdixhiku premton paga më të larta, pensione 300 euro dhe moratorium për rrymën

Zgjedhjet 2026 May 30, 2026 - 14:51

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka premtuar rritje të pagave dhe pensioneve, moratorium për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe investime miliardëshe në infrastrukturë, gjatë një tubimi zgjedhor në Klinë, raporton Ekonomia Online.

Këto premtime Abdixhiku i bëri gjatë tubimit zgjedhor në Klinë.

Abdixhiku tha se LDK-ja do ta mbajë premtimin për koeficientin 150 euro në sektorin publik dhe rritjen e pagave për mësimdhënësit.

Ai premtoi edhe pensione prej 300 eurosh për pensionistët.

“5 miliardë euro investime në projektet më të mëdha infrastrukturore që i ka pas Kosova. Dhe projektet e LDK-së nuk do të zgjasin nga 5-6 vite në rrugët që s’po përfundojnë asnjë ditë. Ministrat e LDK-së, kryeministri i LDK-së, presidenti i LDK-së, do të jenë të gjithë bashkërisht të angazhuar ditë e natë që projektet të përfundojnë në kohë, jo të mbesin në pluhur qysh kanë mbet kjo rruga juaj për Klinë e ato autostrada e Dukagjinit që s’është filluar asnjëherë”, tha ai.

Abdixhiku premtoi ndërtimin e autostradës së Dukagjinit dhe investime në furnizimin me ujë të pijshëm.

“Dukagjinit do t’ia hapim autostradën e merituar, fshatrave tuaja furnizim me gjërat më bazike të mundshme në këtë kohë, ujë, ujë të pijshëm me prioritet nacional për secilin fshat të komunës së Klinës, pra do të kemi investime kapitale që transformojnë jetën shoqërore në Kosovë. Por natyrisht shteti përveç se është zhvillim, përveç se është investim, përveç se është kujdes ndaj projekteve gjeo-nacionale, duhet të kujdesemi edhe për hallet e qytetarëve”, tha ai.

Ai premtoi se gjatë qeverisjes së LDK-së nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.

“Ne e kemi qartë që faturat e rrymës janë rritur, e kemi qartë se çmimet janë rritur, na lejoni që të zotohemi këtu para jush, në programin tonë të LDK-së, me zotimin e parë që rryma, energjia elektrike, çmimi i saj nuk do të rritet, s’guxon të rritet për asnjë nëse janë për katër vitet e ardhshme. Moratorium i plotë në çmimet e rrymës sepse është rritur padrejtësisht, derisa Kosova ka djegur miliarda euro në këto gjashtë vite të energjisë elektrike. Me ato miliarda euro do të kishim një central e dy centrale të reja me të gjitha, LDK-ja vjen me planin e vet me gaz, gaz amerikan, central me gaz amerikan që të lidhemi mirë strategjikisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e me një president të nesërm që këtë lidhje na bën edhe më historike për të ardhmen tonë të sigurisë e të mbrojtjes e të interesave nacionale”, tha ai.

Abdixhiku tha se LDK-ja do ta heqë TVSH-në për produktet bazike në javën e parë të qeverisjes.

“Po ashtu më lejoni të zotohemi që do të heqim menjëherë pa asnjë vonesë TVSH-në në produktet bazike. Çmimet janë të larta, çmimet po rriten vazhdimisht, qeveria nuk guxon të vëzhgojë qytetarin e të thotë ‘un kështu i fitoj votat’. Jo, do ta heqim TVSH-në në bukë, miell, vaj, sheqer për produktet bazike që në javën e parë të qeverisjes sonë në mënyrë që çmimet të bien menjëherë për qytetarët e Kosovës”, tha ai./EO