Forumi Ekonomik i Grave u bën thirrje partive politike të përfshijnë zotime për barazi ekonomike gjinore në programet zgjedhore
Forumi Ekonomik i Grave ka publikuar një Deklaratë të Përbashkët Publike, përmes së cilës u bën thirrje të gjitha partive politike që garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit 2026 që të përfshijnë angazhime konkrete për barazi ekonomike gjinore në programet e tyre zgjedhore.
Në deklaratë, Forumi kërkon që subjektet politike t’i japin prioritet disa çështjeve kyçe, përfshirë miratimin e Ligjit të ri të Punës dhe përmirësimin e kushteve të punës për gratë, investimet në shërbimet e kujdesit si çerdhet dhe kujdesi për të moshuarit, institucionalizimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, rritjen e financimit për shërbimet sociale, si dhe mbështetjen konkrete për gratë në biznes dhe organizatat që promovojnë barazinë gjinore dhe ekonomike.
Forumi vlerëson se, në prag të zgjedhjeve, këto tema duhet të jenë pjesë e debatit publik dhe e programeve politike, duke theksuar se ato lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale dhe të ardhmen e tregut të punës në Kosovë.
Po ashtu, Forumi Ekonomik i Grave ka ftuar mediat që gjatë raportimeve, debateve dhe intervistave me përfaqësues politikë të shtrojnë pyetje konkrete lidhur me reformat në Ligjin e Punës, investimet në shërbimet e kujdesit, buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, financimin e shërbimeve sociale dhe mbështetjen e grave në biznes.
Sipas Forumit, një qasje më aktive e mediave mund të kontribuojë në vendosjen e këtyre prioriteteve në qendër të debatit publik dhe në rritjen e llogaridhënies së përfaqësuesve politikë ndaj qytetarëve./Zëri