Dita e dytë e fushatës: Partitë zbarkojnë në qytetet e Kosovës me tubime të shumta

Dita e dytë e fushatës: Partitë zbarkojnë në qytetet e Kosovës me tubime të shumta

Zgjedhjet 2026 May 29, 2026 - 08:10

Në kuadër të ditës së dytë të fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës, subjektet politike po vazhdojnë aktivitetet e tyre me tubime në komuna të ndryshme të vendit.

Lëvizja Vetëvendosje pritet të mbajë tubim në Istog në orën 17:00, ndërsa në Pejë në orën 19:30.

Kryetari i partisë dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, prezantoi prioritetet e programit duke premtuar investime në Brezovicë, Rugovë dhe Bjeshkët e Nemuna, rritje të shpenzimeve kapitale për rreth një miliard euro, si dhe investime në prodhim dhe mbrojtje, përfshirë ndërtimin e fabrikës së dronëve dhe municioneve.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të zhvillojë disa tubime gjatë ditës, në Kaçanik dhe Han të Elezit në ora 17:00, në Shtime në ora 18:00, në Fushë Kosovë në orën 19:30 dhe në Prishtinë në orën 20:30.

Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë tubime në Gjakovë në orën 18:00 dhe në Pejë në orën 19:30. Kryetari dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, gjatë hapjes së fushatës prezantoi programin e tij, duke premtuar ulje të çmimeve, rritje të pagave dhe pensioneve, si dhe investime në ekonomi, energji dhe shëndetësi. Në këtë tubim mori pjesë edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të mbajë tubim në Rahovec në ora 20:00. Në hapjen e fushatës në Gjakovë, Ramush Haradinaj vlerësoi kandidatin për kryeministër, Ardian Gjinin, si një nga figurat më të përgatitura për udhëheqje, duke theksuar nevojën për bashkëpunim në tejkalimin e sfidave të vendit.

Fushata zgjedhore do të zgjasë gjithsej 10 ditë e shtatë orë dhe pritet të përfundojë më 7 qershor në orën 06:59.