KQZ-ja: Janë aprovuar 8.212 fletëvotime nga diaspora

KQZ-ja: Janë aprovuar 8.212 fletëvotime nga diaspora

Zgjedhjet 2021 February 19, 2021 - 13:55

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha se janë aprovuar 8.212 zarfe me fletëvotime nga diaspora, raporton “Ekonomia Online”.

“Qendra e Numërimit dhe Rezultateve është duke punuar instesivisht në përmbylljen e aktiviteteve të parapara sipas procedurave”, tha Elezi.

“Disa nga aktivitetet që po zhvillohen njëkohësisht këtu në QNR janë: procesimi i të dhënave të formularëve të rezultateve të kandidatëve dhe subjekteve politike; skanimi i listës përfundimtare të votuesve; dhe procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës”, tha ai.

Sipas të dhënave të deritashme, QNR-ja ka rritur që nga 2 382 vendvotime të procesojë në sistem të dhënat nga formularët e subjekteve politike për 2 100 vendvotime (88,16%), si dhe të dhënat nga formularët e kandidatëve për 1679 vendvotime (70,49%).

Edhe në skanimin e listës përfundimtare të votuesve, e cila ka shërbyer që votuesit të nënshkruhen në ditën e zgjedhjeve, ka progres të theksuar. Deri më tani është skanuar lista përfundimtare e votuesve nga 2035 vendvotime (85,43%). Siç e kemi bërë të ditur, ky skanim është i domosdoshëm për të na siguruar nëse ka ose jo raste kur ndonjë votues ka votuar në vendvotimin e tij të rregullt, por edhe në vendvotimin me kusht.

Po ashtu shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre, të cilat i kemi pranuar gjatë periudhës së votimit përmes postës. Ky proces verifikimi do të na ndihmojë që të japim përgjigje se sa është numri i saktë i fletëvotimeve nga jashtë vendit.

Deri më tani, nga 11 653 pako të supozuara me fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit, janë aprovuar 8212 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 3435 zarfe me fletëvotime. Arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme. Disa prej këtyre pakove janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; disa të tjera për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit. Po ashtu, në disa raste pakot janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor); ose se në pakon që kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente të pavlefshme.