Fillon rinumërimi i 12 vendvotimeve
Foto: Laura Hasani

Fillon rinumërimi i 12 vendvotimeve

Zgjedhjet 2021 February 19, 2021 - 10:23

Janë duke u bërë përgatitjet e fundit për të filluar rinumërimin e 12 vendvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, raporton “Zeri.info”.

Këtë ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, përmes një konference për media.

Ai theksoi se arsyet pse këto vendvotime janë duke u rinumëruar është se fletëvotimet nuk kanë mundur të procedohen si të rregullta ose nuk kanë qenë të nënshkruara e në disa raste edhe të paplotësuara.

“Arsyeja se përse duhet të bëhet ky rinumërim është se gjatë pranimit të materialit zgjedhor këto fletëvotime nuk kanë mundur të procedohen si të rregullta. Gjatë pranimit të materialit zgjedhor nga këto vendvotime formularët nuk kanë qenë të nënshkruar ose në disa raste kanë qenë të paplotësuara”, ka bërë të ditur Elezi.

Elezi po ashtu theksoi se procesi i rinumërimit pritet të fillojë në orën 10:00 dhe sipas procedurave standarde numërimi i një kutie të vendvotimit merr kohë deri në katër orë.

“Fillimisht bëhet selektimi i fletëvotimeve të vlefshme dhe të pavlefshme, pastaj numërohen fletëvotimet për subjekte politike dhe pastaj pjesa tjetër e fletëvotimit që ka të bëjë për kandidatët e atyre subjekteve politike. Në fund plotësohen formularët e rezultatit të subjektit politik dhe të kandidatëve”, ka bërë të ditur ai.

Sipas Elezit, vendvotimet që rinumërohen u takojnë komunave: Gjakovë (1), Fushë-Kosovë (1), Rahovec (1), Podujevë (3), Prizren (2), Skenderaj (1), Suharekë (1), Ferizaj (1) dhe Vushtrri (1).

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për rinumërimin e vetëm 12 vendvotimeve gjatë ditës së djeshme. /Zëri