Balje mbet jashtë Kuvendit: Lista Serbe bëri plan që t’i marrë 2/3-at e krejt komuniteteve

Balje mbet jashtë Kuvendit: Lista Serbe bëri plan që t’i marrë 2/3-at e krejt komuniteteve

Zgjedhjet 2021 February 18, 2021 - 23:45

Kryetarja e Unionit Socialdemokrat, Duda Balje, po pretendon se Lista Serbe ka bërë plan që vota e komunitetit serb të shpërndahet edhe në komunitete të tjera ashtu që ta rrisë numrin e deputetëve më shumë sesa 10 vendet e rezervuara.

Ajo, në Klan Kosova, ka thënë se ata kanë formuar një iniciativë të boshnjakëve dhe një të romëve për ta zbatuar këtë plan.

“Na nuk kemi bërë ankesa se nuk kemi pasë të drejtë pa u bërë certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve. Unë kam folur për planin e Listës Serbe shumë para zgjedhjeve, por asnjë përfaqësues i asnjë partie politike nuk ka pasë interesim. Ata [Lista Serbe] janë në fazën e fundit të planit. Kanë formuar dy iniciativa – një të boshnjakëve dhe një të romëve – dhe kanë fituar maksimumin e votave dhe ne, partitë autentike të boshnjakëve dhe romëve, nuk kemi pasë mundësi me fitu vendet në Kuvend”.

Balje ka thënë se sipas asaj që ata kanë analizuar del që kandidatja për deputete nga komuniteti boshnjak, Adriana Hoxhiq, shumicën e votave i ka marrë në komunat me shumicë serbe.

“Na qysh i kemi bo analizat për Adriana Hoxhiq del se 95 % të votave i ka fituar prej komunave ku jetojnë më shumë serbë. Është një padrejtësi e madhe dhe unë mendoj se është shumë e rrezikshme për komunitetet e tjera në Kosovë edhe për shtetin e Kosovës. Ne e presim certifikimin dhe do ta bëjmë gati ankesën në PZAP dhe Gjykatë Kushtetuese. Unë shpresoj që shteti do të ndihmojë, sepse ne nuk kemi fuqi dhe as mundësi që të luftojmë kundër influencës së Serbisë në Kosovë”.

Balje ka thëmë se plani i Listës Serbe është i rrezikshëm për komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë dhe vetë Kosovën.

“Ata kanë pasë plan. Plani është që të kenë 2/3-at e komuniteteve brenda Kuvendit të Kosovës. Nëse kalon ashtu siç kanë planifikuar, ata do të kenë 15 ose 16 deputetë të cilët i kontrollojnë. Kjo është shumë e rrezikshme për formimin e qeverisë, zgjedhjen e presidentit dhe çështje të tjera të rëndësishme që duhet të votohen brenda Kuvendit”.

Ish-deputetja, Duda Balje, e ka konfirmuar se ka mbetur jashtë Kuvendit duke thënë se ajo në një mënyrë është përjashtuar nga kjo garë.

“Absolutisht ne nuk kemi pasë mundësi. Adriana Hoxhiq ka 8000 vota, pra ne në Kosovë nuk kemi aq boshnjakë. Për Hoxhiq nuk kanë votuar vetëm boshnjakët, derisa për neve kanë votuar veç boshnjakët. Nuk kemi pasë as mundësi për ta fituar vendin”.

Ajo ka thënë se ka fakte për ta dëshmuar këtë që po pretendon.

“Fakti që ata kanë formuar iniciativa disa ditë para zgjedhjeve është hapi i parë. Shumica e votave prej komunave ku jetojnë serbët – Adriana Hoxhiq nuk ka pasë as 600 vota prej boshnjakëve. Në Ranillugë nuk ka asnjë boshnjak, derisa Adriana Hoxhiq atje ka më shumë se 300 vota. Iniciativa e Romëve në Graçanicë ka pasë shumë vota prej serbëve. Serbët në Kosovë e kanë pranuar edhe vetë se kanë pasë presion që të votojnë për ta. Është shumë e qartë”.

Kandidatja për deputete nga komuniteti boshnjak ka thënë se për këtë do të ankohen në PZAP dhe të gjitha instancat e tjera.

“Kjo është kundër Kushtetutës dhe është duke e prishur multietnicitetin e Kuvendit të Kosovës. Ata nuk mund ta përfaqësojnë komunitetin qysh duhet, sepse nuk janë votuar prej boshnjakëve ose romëve. Është shumë e rrezikshme”.

Ajo ka thënë se shpreson se institucionet do ta marrin vendimin e duhur që shteti i Kosovës të vazhdojë të mbetet multietnik.