Vetëvendosja e lë të hapur mundësinë për koalicion vetëm me komunitetet jo-serbe

Vetëvendosja e lë të hapur mundësinë për koalicion vetëm me komunitetet jo-serbe

Zgjedhjet 2021 February 18, 2021 - 17:32

Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar fitore në zgjedhjet e 14 shkurtit, ku nga rezultatet preliminare që nuk përfshin votat nga diaspora dhe ato me kusht, ka marrë 47.85% të votave.

Për Vetëvendosjen, rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit është historik jo vetëm për nga numrat por edhe për nga domethënia e tij.

Zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu, ka thënë për “Zërin” se në zgjedhjet e 14 shkurtit qytetarët asnjëherë më parë nuk kanë qenë më të prerë e më të qartë se duan ndryshim rrënjësor si në politikë-bërje ashtu edhe në qeverisje.

I pyetur nga “Zëri” nëse Vetëvendosje ka nisur diskutimet me ndonjë subjekt politik për koalicion për të formuar institucionet e reja, Kryeziu ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit vetëm me partitë e komuniteteve jo-serbe.

“Reforma në subjektet tjera është e domosdoshme. Ajo më së miri arrihet në opozitë. Ne presim që të kemi numrin e nevojshëm të deputetëve për formimin e qeverisë dhe institucioneve. Do të presim të shohim edhe deputetët e tjerë të komuniteteve jo-serbe dhe kështu të fillojmë bashkëpunimin drejt formimit të institucioneve të vendit”, ka thënë Kryeziu për “Zërin”.

Zgjedhjet e 14 shkurtit janë vlerësuar lart nga të gjitha partitë politike të cilat e kanë pranuar rezultatin, por edhe institucionet ndërkombëtare që i kanë vëzhguar ato.

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj menjëherë pas rezultateve të para preliminare ku partia e tij ka dalë e dyta me 17.41%, në një konferencë për media ka deklaruar se PDK-ja do të qëndrojë në opozitë, duke përjashtuar koalicionin e mundshëm me LVV-në.

AAK-ja, ndërkaq, përmes një deklarate ka bërë të ditur se nuk do të bllokojë formimin e institucioneve të reja që do dalin pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, duke mos u deklaruar në lidhje me koalicionin e mundshëm me LVV-në. AKR-ja ka thënë se nuk do të bëhet pjesë e qeverisë së re, ndërsa LDK-ja nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për këtë çështje. /Zëri