Abdixhiku uron Vetëvendosjen, thotë se për LDK-në rezultati ishte më i rëndi në histori
Kandidati për deputet nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas humbjes që pësoi partia e tij në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke u radhitur e treta.
Abdixhiku fillimisht ka falenderuar votuesit e tij, për çka thotë se janë të njejtit për të tretën herë më radhë, ndërsa nuk ka lënë pa përmendur rezultatin e dobët të LDK-së, për të cilin ka thënë se është më i rëndi në histori.
Ai thotë se mesazhi nga këto zgjedhje është një thirrje për reflektim, ndërsa porositë se ata që nuk e dëgjojnë harrohen, transmeton Zeri.info.
Abdixhiku i cili po përmendet edhe si kandidat i mundshëm për kryetar të LDK-së, ka uruar fituesit e zgjedhjeve pa përmendur emrin e Vetëvendosjes, e cila ka dal fituese me mbi 47 për qind të votave./Zëri
Shkrimi i plotë i Abdixhikut:
Tani që rezultatet nga terreni më vijnë, s’kam se si të mos falenderojë sërish, për të tretën herë rradhazi e me të njëjtën madhësi, votuesit e mi. Numrin e bëjmë ne.
Por kjo ka pak rëndësi. Fare madje. Rezultati për ekip, për LDK-në, pa befasi ishte i rëndë - më i rëndi në histori. Mesazhi ishte i qartë e i zëshëm, ai thërret për reflektim. Kush s’e dëgjon harrohet; dhe këtë s’mund ta kemi më alternativë.
Rruga përpara s’është e lehtë, por këtë rrugë LDK ka për ta gjetë. Ajo do të jetë rrugë e drejtë, siç na takon për atë që përfaqësojmë. Pa improvizime më; me plot konsistencë. Ndryshimi pas përgjegjësisë ka nisur dhe s’ka gjë që e ndalë atë tashmë.
Të njëqind mijë votuesve tanë ju faleminderit.
Fituesve të zgjedhjeve urime.
Kosovës gëzuar ditëlindjen.