Ismaili: PDK-ja do ta bëjë opozitën për ta fuqizuar shtetin dhe demokracinë

Ismaili: PDK-ja do ta bëjë opozitën për ta fuqizuar shtetin dhe demokracinë

Zgjedhjet 2021 February 15, 2021 - 15:48

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se partia e tij e ka kuptuar mesazhin që ka marrë nga votuesit në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ismaili ka thënë se PDK-ja, sipas rezultatit që ka marrë në këto zgjedhje, do të qëndrojë në opozitë, ndërsa është zotuar se do të punojnë për fuqizimin e shtetit dhe të demokracisë.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës, me votë të lirë dëshmuan edhe një herë se vendi ynë ka ndërtuar institucione që organizojnë zgjedhje të shkëlqyeshme, shumë mbi nivelin e rajonit. PDK-ja e ka të qartë mesazhin dhe për ta fuqizuar shtetin e demokracinë do të bëjë opozitë, si udhëheqëse që përfaqëson qytetarët. Ne do të jemi në shërbimin e tyre të plotë. Shpresoj që institucionet të formohen sa më shpejt”, ka shkruar Ismaili.

Ai më tej ka falënderuar qytetarët për pjekurinë e lartë që kanë treguar në zgjedhje, ndërsa ka thënë se PDK-ja do të jetë edhe më e fortë pas këtyre zgjedhjeve.

“Faleminderit të gjithë qytetarëve për pjekurinë dhe korrektësinë e treguar në procesin zgjedhor. Në veçanti mirënjohje të pafundme për të gjithë mbështetësit, votuesit dhe aktivistët e Partisë Demokratike të Kosovës, që me devotshmërinë e tyre të pashembullt mundësuan një fushatë të jashtëzakonshme. Pas këtij kapitulli gjëja më e sigurt nga e gjithë kjo është se ne do të jemi vetëm më të fortë”, ka shtuar ai. /Zëri