PDK-ja: Dilni të votoni, secila votë është e rëndësishme për demokracinë tonë

PDK-ja: Dilni të votoni, secila votë është e rëndësishme për demokracinë tonë

Zgjedhjet 2021 February 14, 2021 - 17:53

Sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, para mediave ka thënë se ka ftuar qytetarët të dalin të votojnë, pasi ka mbetur edhe një orë e gjysmë deri te mbyllja e vendvotimeve, raporton “Zeri.info”.

Tahiri thotë se deri më tani nuk ka pasur asnjë parregullsi, duke thënë se kjo dëshmon që edhe një herë vendi ka një demokraci të konsoliduar.

“Ne i inkurajojmë të gjithë qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës dhe të marrin pjesë në këtë proces të manifestimit të demokracisë në Republikën tonë. Ndihemi të inkurajuar që deri më tani procesi nuk ka pasur parregullsi, kjo dëshmon edhe një herë që vendi ynë ka një demokraci të konsoliduar”, tha ai.

Po ashtu, përmes kësaj konference, ai u drejtohet qytetarëve, duke u thënë që të dalin të votojnë, sepse secila votë është e rëndësishme për demokracinë e vendit.

“Ka mbetur edhe një një orë e gjysmë prej tani deri te mbyllja e vendvotimit, andaj ftojmë të gjithë ata që të dalin ta shfrytëzojnë kohën e mbetur për të vendosur për të ardhmen e Kosovës. Dilni dhe votoni, sepse secila votë është tepër e rëndësishme për demokracinë tonë të re”, tha Tahiri.

Ndërkaq, Tahiri ka thënë se 14 shkurti ka nxjerrë në pah mosgatishmërinë e disa kryetarëve të komunave dhe të Qeverisë në krye të detyrës. Ai thotë se në kuadër të kësaj dite me reshje bore duhet të krijojnë kushte më të mira për qytetarët.

“Dua të ritheksojë edhe një herë që 14 shkurti ka nxjerrë në pah mosgatishmërinë e disa kryetarëve të komunave dhe të Qeverisë së Kosovës që të jenë në krye të detyrës dhe në kuadër të kësaj dite të vështirë prej reshjeve atmosferike të krijojnë kushte më të mira që qytetarët të lëvizin lirshëm, megjithatë kjo nuk i ka dekurajuar qytetarët dhe sot duket që po marrin pjesë në vendosjen e qeverisjes së ardhme 4-vjeçare me një pjesëmarrje rekorde”, ka përfunduar Tahiri. /Zëri