Qytetari për mungesë të zarfeve të votimit:

Qytetari për mungesë të zarfeve të votimit: "Kjo është shkelje e të drejtave të mia"

Zgjedhjet 2021 February 14, 2021 - 15:58

Në qendrën e votimit të Fakultetit Filologjik, në Prishtinë, përveç mos respektimit të masave anti-COVID, është hasur edhe një problem tjetër.

Qytetarët nuk po munden të votojnë për shkak të mungesës të zarfeve për votim.

Qytetari me inicialet A.Sh., banor i përkohshëm i Prishtinës, thotë se ka pritur për më shume se një orë deri sa më në fund, menaxheri i qendrës i ka thënë se duhet të shkoj në qytetin e tij të votojë.

“Kjo është shkelje e të drejtave të mia. Këta nuk mund t’ma ndalojnë votën për këso arsye”, tha A.Sh.

Kryesuesi i sallës së votimit me kusht, Halit Thaçi, ka deklaruar për “Betimi për Drejtësi” se ka lajmëruar menaxherin e qendrës nga ora 11:00, mirëpo zarfet ende nuk kanë arritur dhe si pasojë qytetarët duhet drejtuar në vendvotime tjera.

Faton Rama, menaxheri i qendrës, tha se mungesën e ka lajmëruar me kohë mirëpo sipas tij, barra bie mbi KQZ-në ngase ata janë vonuar.

“Deri atëherë qytetarët duhet të presin, ose le t’shkojnë diku tjetër”, deklaroi Rama.

“Betimi për Drejtësi” është duke raportuar vazhdimisht për parregullësitë gjatë procesit zgjedhor.