LDK-ja fton qytetarët të mos bien pre e propagandave për çorientimin e procesit zgjedhor

LDK-ja fton qytetarët të mos bien pre e propagandave për çorientimin e procesit zgjedhor

Zgjedhjet 2021 February 14, 2021 - 15:47

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur një konferencë për media, ku ka ftuar qytetarët që të mos bien pre e propagandave për çorientimin e procesit zgjedhor, raporton “Zeri.info”.

“LDK-ja fton për respektim të të gjitha rregullave zgjedhore, duke përfshirë këtë dhe heshtjen zgjedhore. I ftojmë të gjithë qytetarët që të mos bien pre e propagandave, që kanë për qëllim çorientimin e këtij procesi”, ka thënë Ardita Dushi, nga Shtabi Zgjedhor i LDK-së.

Pavarësisht të ftohtit, Dushi ka ftuar qytetarët që të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit.

“Pavarësisht të ftohtit dhe borës, LDK-ja u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të shkojnë në qendrat e votimit dhe të ushtrojnë të drejtën dhe obligimin qytetar për të votuar për përfaqësuesit të tyre. LDK-ja nga ky proces zgjedhor pret demokratizim të mëtutjeshëm të vendit, për zhvillim ekonomik, për prosperitet dhe forcim më shumë të vendit”, ka thënë ajo.

Dushi po ashtu theksoi se LDK-ja e mirëpret vendimin e KQZ-së për lejimin për të votuar të qytetarëve, të cilët kanë letërnjoftimin e skaduar.

“LDK-ja e mirëpret vendimin e KQZ-së për lejimin e votimit të qytetarëve me leje të njoftimit të skaduar. Ky mirëkuptim ka ndodhur për shkak të pandemisë dhe qytetarët si pasojë e saj nuk kanë pasur mundësi të pajisen me letërnjoftime të reja”, ka shtuar ajo. /Zëri