LDK-ja, thirrje qytetarëve që të votojnë pa asnjë ndikim
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar se deri më tani procesi zgjedhor është zhvilluar pa ndonjë parregullsi.
“LDK-ja po e përcjell me kujdes procesin zgjedhor dhe se deri më tani nuk ka asnjë shqetësim serioz”, ka thënë Ardita Dushi, nga Shtabi Zgjedhor i LDK-së, gjatë një konference për media, raporton “Zeri.info”.
Dushi ka falënderuar institucionet e Kosovës, të cilat po angazhohen për të krijuar kushte të favorshme që qytetarët të arrijnë të votojnë.
“Dalja e votuesve përkundër kushteve të vështira atmosferike po vazhdon të jetë në përputhje me trendin e zakonshëm. Falënderojmë të gjitha institucionet e Kosovës, të cilat me përkushtim po angazhohen për të krijuar kushte të favorshme që qytetarët të arrijnë në qendrat e votimit”, tha ajo.
Po ashtu LDK-ja u bën thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar pa asnjë ndikim.
“Brenda qendrave të votimit të bëhet rend për rregull, sipas udhëzimeve të KQZ-së. LDK-ja u bën thirrje qytetarëve ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar pa asnjë ndikim”, ka përfunduar Dushi. /Zëri