Tahiri thirrje institucioneve: Pastroni rrugët, qytetarëve po u pamundësohet dalja në votime

Tahiri thirrje institucioneve: Pastroni rrugët, qytetarëve po u pamundësohet dalja në votime

Zgjedhjet 2021 February 14, 2021 - 13:29

Sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, para mediave është shprehur i shqetësuar për pamundësinë e qytetarëve për të votuar, pasi sipas tij rrugët janë të papastruara si pasojë e reshjeve të borës.

Tahiri i ka bërë thirrje KQZ-së që t’i sigurohet çdo qytetari votimi.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj për mospastrimin e rrugëve dhe kërkon nga institucioneve tona dhe Qeveria e Republikës së Kosovës që t’i ndërmarrin të gjitha masat që të mundësohet qarkullimi i qytetarëve. Po ashtu i bëjmë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të sigurohet që çdo qytetari që dëshiron të votojë t’i mundësohet një gjë e tillë”, ka thënë ai.

Po ashtu Tahiri ka theksuar se është rëndësishme që qytetarët të dalin për të votuar, duke thënë se përkundër kushteve atmosferike sot do të jetë një ditë shumë e mirë për vendin.

“Edhe një herë shpresojmë në reagim të menjëhershëm të autoriteteve përgjegjëse, derisa shprehim besimin e plotë që përkundër kushteve atmosferike sot do të jetë një ditë shumë e mirë për Kosovën. Shqetësimi ynë i dytë është që shumë qytetarëve të cilët janë të infektuar me COVID nuk po u mundësohet të votojnë”, ka përfunduar Tahiri. /Zëri