KQZ-ja: Të gjitha shkollat janë në kompetencën tonë, nuk menaxhohen e as mbikëqyren nga komunat
Rreth një orë më parë kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se drejtorët e shkollave në të cilat janë të hapura qendrat e votimit në Skenderaj kanë pranuar telefonata nga persona të cilët kanë kërkuar që nesër të ndalen kamerat në vendvotime.
Sipas Jasharit, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) përmes zyrtarit të saj Nexhmedin Hyseni ka dërguar një email në drejtim të KKZ-Skenderaj, përmes së cilës ka urdhëruar këta të fundit që të ndalin kamerat në vendvotime.
Pas kësaj, KQZ-ja ka dhënë një sqarim ku thuhet se në ditën e zgjedhjeve të gjitha shkollat të cilat shëndrrohen në qendra të votimit janë në kompetencë të KQZ-së, menaxhohen e mbikëqyren nga KQZ-ja, e jo nga komunat dhe kryetarët e tyre.
“Në ditën e zgjedhjeve, të gjitha shkollat të cilat shndërrohen në Qendra të Votimit janë në kompetencë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Po ashtu, të gjitha objektet shkollore të cilat shndërrohen në Qendra të Votimit menaxhohen dhe mbikëqyren nga KQZ. Ato nuk menaxhohen dhe as nuk mbikëqyren nga komunat dhe kryetarët e tyre”, thuhet në sqarimin e KQZ-së.
Sipas tyre, të gjitha rregullat vlejnë njësoj për të gjitha qendrat e votimit në të gjitha komunat e Kosovës.
“Të gjitha rregullat për të gjitha Qendrat e Votimit gjithandej Republikës së Kosovës janë unfiorme dhe vlejnë njësoj për të gjitha, në të gjitha komunat. Këto rregulla kanë qenë të tilla edhe në proceset e kaluara zgjedhore dhe nuk kanë pësuar asnjë ndryshim”, thuhet tutje në sqarim. /Zëri