Dyndje në aeroportin e Prishtinës, mbërrijnë mërgimtarët për të votuar

Dyndje në aeroportin e Prishtinës, mbërrijnë mërgimtarët për të votuar

Zgjedhjet 2021 February 13, 2021 - 12:20

Zgjedhjet e parakohshme të shkurtit kanë sjellë me dhjetra emigrantë kosovarë në shtëpi, për të marrë pjesë fizikisht në votime. Fluturimet më të shpeshta janë shënuar nga Zvicra, Gjermania, Austria, por edhe vendet skandinave.

Bujar Gashi nga zyra e informacionit të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, shprehet se në krahasim me fundjavën e kaluar, ka pasur 10 fluturime më shumë. Ndërkohë që pritet një rritje e mëtejshme e numrit të fluturimeve.

“Gjatë ditës së sotme priten të realizohen rreth 16 fluturime në ardhje, ndërsa ditën e nesërme pritet të realizohen rreth 35 fluturime,” – shton Gashi.

Arsyet e ardhjes për të marrë pjesë fizikisht në votime, ishin të ndryshme për secilin nga emigrantët. Nadir Zejnullahu nga Podujeva thotë se ka ardhur nga Berlini për të votuar, ani pse kishte mundësi që votën e tij ta dërgonte edhe përmes postës.

“Kemi mundur [të votojmë përmes postës] por nuk kemi dashur se këtu po na humbin, po hupin postat [zarfet]. Kështu po vijmë, po e qesim në vend të vetin, jemi rehat. Kemi pas kohë, atje pandemia e ka bllokuar çdo gjë. Edhe e vizitojmë familjen edhe dashtë Zoti po fitojmë,” – thotë Zejnullahu.

Shefid Jakupi nga fshati Reçak shprehet se kishte aplikuar për votim, por që nuk e kishte telefonuar askush. Për këtë, ai të premten ka vendosur të vijë në Kosovë.

“Kemi ardhur ekstra për votime, do ta bëjmë atë çka mundemi për popullin dhe atë çka është më e mira, do të votojmë në emër të Zotit. Prej këtyre zgjedhjeve presim shumë, presim mrekulli mos të them, po presim shumë. Fatkeqësisht jo, kam aplikuar [për votim me postë], por nuk më ka thirr askush. Kështu që e kam marrë vendim të vij vet [fizikisht],” – thotë Zejnullahu.

Për të ushtruar të drejtën e tij për votë ka ardhur sot në Kosovë nga Berlini edhe Arton Rekaliu.

“Për votime normal [kemi ardhur], ajo është gjithqysh. Prej këtyre zgjedhjeve presim sene të mira. Kosova është mirë në krahasim me vendet e tjera, nuk është qysh e bëjmë. Edhe me ardh ndonjë i ri nuk e bën një ndryshim qysh mendojnë njerëzit. Ata që kanë qenë, janë të mirë gjithë,” – thotë Rekaliu.

Disa shtete të Evropës konsiderohen me rrezikshmëri të lartë, kështu qytetarët që jetojnë në këto shtete për të hyrë në Kosovë duhet të jenë të pajisur me testin PCR negative, jo më të vjetër se 72 orë, ose duhet të qëndrojnë 7 ditë në vetë-izolim./euronews.al/