Nis shpërndarja e materialit zgjedhor, në listat votuese janë edhe ata që jetojnë jashtë vendit

Nis shpërndarja e materialit zgjedhor, në listat votuese janë edhe ata që jetojnë jashtë vendit

Zgjedhjet 2021 February 13, 2021 - 10:25

Zëdhënësi i Komisionit Qendor të Zgjedhjeve, Valmir Elezi në një konferencë për media ka dhënë detaje rreth zhvillimit të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, raporton Zeri.info

Elezi ka thënë se KQZ-ja ka filluar shpërndarjen e materialit të ndjeshëm zgjedhor ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet.

“Jemi tek qendra e numërimit dhe rezultateve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sipas planifikimit me planin operacional ka filluar shpërndarjen e materialit të ndjeshëm zgjedhor ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet”, tha Elezi.

Po ashtu, ai ka thënë se ky material po bëhet nën përcjelljen e Policisë së Kosovës dhe i njëjti do të dërgohet në depot e komisioneve komunale të zgjedhjeve në 38 komunat e vendit.

“Ky material po shpërndahet nën përcjelljen e Policisë dhe i njëjti do të dërgohet në depot e komisioneve komunale të zgjedhjeve në të 38 komunat e Kosovës. Nesër në orët e hershme të mëngjesit do të shpërndahet për në qendrat e votimit në mënyrë që në orën 7 të mëngjesit të mund të filloj procesi i votimit”, tha zëdhënësi i KQZ-së.

Ndërkaq, ai potencoi se të drejtë vote kanë të gjithë qytetarët që janë prezent në listën e votimit edhe ata të cilët jetojnë jashtë vendit.

“Të drejtë votë kanë të gjithë ata qytetarë të cilët janë prezent në listën votuese. Lista votuese përmban jo vetëm votuesit të cilët janë rezident në Kosovë por edhe ata të cilët jetojnë jashtë vendit”, ka thënë Elezi./Zëri