BE-ja thirrje institucioneve të Kosovës: Në këto zgjedhje veproni në përputhje me standardet ndërkombëtare

BE-ja thirrje institucioneve të Kosovës: Në këto zgjedhje veproni në përputhje me standardet ndërkombëtare

Zgjedhjet 2021 February 13, 2021 - 10:06

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian, përfaqësuesi Special dhe shefat e misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë kanë deklaruar se po i ndjekin me vëmendje të madhe përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Në një njoftim për media, nga BE-ja kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që në këto zgjedhje të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“Nënvizojmë rëndësinë e zgjedhjeve transparente, të besueshme dhe përfshirëse. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse të Kosovës që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare, të lirë nga presioni politik dhe t’i respektojnë vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjyqësorit. Inkurajojmë qytetarët e Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar duke i respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19”, thuhet në njoftim.

BE-ja ka dërguar një Mision të Ekspertëve të Zgjedhjeve (EEM) në Kosovë që mbulon të gjithë procesin e përgatitjes së zgjedhjeve, votimit dhe numërimit, duke përfshirë fazën e ankimimit. EEM, sipas këtij njoftimi do ta përgatitë një raport për zgjedhjet duke përfshirë rekomandimet se si të përmirësohet dhe forcohet më tej procesi zgjedhor. BE-ja do i ndjek nga afër procesin zgjedhor në ditën e zgjedhjeve duke i vizituar qendrat e votimit.

“Për më tepër, ne, diplomatët nga Zyra e BE/PSBE dhe përfaqësimet e Shteteve Anëtare të BE, së bashku me kolegët tjerë ndërkombëtarë, do ta ndjekim nga afër procesin zgjedhor në Ditën e Zgjedhjeve duke i vizituar qendrat e votimit. Ne gjithashtu e mirëpresim dhe përkrahim punën e organizatave të shoqërisë civile të Kosovës në vëzhgim të fushatës zgjedhore dhe procesit në Ditën e Zgjedhjeve”.

Ndërkaq, përfaqësuesit e BE-së besojnë se presidenti do të zgjidhet shpejt nga kuvendi kështu që sa më parë të formohet qeveria e re pasi që sipas tyre me kohë të promovojnë reforma dhe zhvillime të mëtejshme.

“Ne i qëndrojmë fuqishëm partneritetit tonë të fortë e të qëndrueshëm me Kosovën. Jemi të gatshëm që të angazhohemi me anëtarët e zgjedhur të Kuvendit. Kemi besim se Presidenti do të zgjidhet shpejt nga Kuvendi i ri dhe do të formohet qeveria e re, me kohë, në mënyrë që të promovojë reforma dhe zhvillime të mëtejshme, ta luftojë korrupsionin, ta forcojë sundimin e ligjit dhe ta çojë përpara të ardhmen Evropiane të Kosova, përfshirë vazhdimin e Dialogut të lehtësuar nga BE në mes të Beogradit dhe Prishtinës”, është bërë e ditur në njoftimin e BE-së”, thuhet më tej në njoftim.

Përfaqësuesit e BE-së kanë theksuar se mirëpresin diskutimin lidhur me zbatimin e rekomandimeve të raporteve të njëpasnjëshme të Misioneve të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian me autoritetet e Kosovës pas zgjedhjeve.

“I ftojmë të gjitha partitë që t’i rroken punës pas zgjedhjeve në mënyrë që t’i zbatojnë ato rekomandime”, është apeli i BE-së./Zëri