Osmani për CNN: Parakusht për avancim të raporteve me Serbinë është drejtësia për viktimat e luftës
U.d së presidentit, Vjosa Osmani në një intervistë për televizionin prestigjioz amerikan CNN ka thënë se pas zgjedhjeve ajo dhe Albin Kurti do ta kenë vullnetin për të biseduar me Serbinë me parakushtin që të ketë drejtësi për vrasjet që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës.
Osmani në lidhje direkte me gazetaren e CNN Christiane Amanpour ka folur edhe për zgjedhjet e 14 shkurtit dhe procesin e dialogut me Serbinë.
“Ne edhe formalisht do të fitojmë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ka qenë një dekadë e vështirë për ne, ne kemi arritur me mbështetjen e ShBA’së të kemi njohje të shumta. Serbia pavarësisht krimeve në luftë ata ende e mohojnë krimet e tyre, parakusht për ne është që të kemi drejtësi për vrasjet e njerëzve. Asnjë nga kriminelët nuk është dënuar, kur të përfundojnë zgjedhjet unë dhe z. Kurti do të shfaqim vullnetin për të biseduar me Serbinë, por bota ka parë të vërtetën e luftës.Ne duam të lëvizim përpara, sepse njerëzit tanë e meritojnë këtë, por parakusht është që të vihet drejtësia në vend së pari”, ka thënë Osmani.
Tutje u.d së presidentit ka folur edhe për synimet që ka pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
“Nëse pyesni njerëzit e Kosovës ata identifikojnë dy probleme luftimin e korrupsionit dhe vendet e punës, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë. Ne duhet ta ndryshojmë mentalitetin e qeverisjes dhe ne do ta bëjmë këtë posa të kryhen zgjedhjet. Idetë tona janë për të investuar në burime njerëzore si dhe Vettingu në sistemin e drejtësisë. Njerëzit janë përpjekur për të ikur nga Kosova, është obligim I ynë që të krijojmë perspektivë për të rinjtë ku është drejtësia për të gjithë dhe ku njerëzit trajtohen njejtë”, tha Osmani.
E pytur lidhur me periudhën e luftës, Osmani ka treguar për periudhën e vështirë të viteve 1998-1999.
“Sikur të gjithë kosovarët unë jam rritur në nëj vend ku nuk jemi lejuar të flasim gjuhën tonë dhe të punojmë në vendet tona të punës. Gjatë luftës ne kemi parë ferrin me sytë tanë pasi njerëzit tanë janë vrarë para syve tanë, ShBA’ja na ka qëndruar pranë në kohët më të vështira dhe për këtë kosovarët janë përherë falenderues ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne nuk duam që të mbahemi mend vetëm si sinonim I luftës dhe korrupsionit ne kemi njerëz të rinjë që kanë potencial të madh”, ka thënë ajo.
Osmani është pyetur nga gazetarja e CNN edhe për ish-presidentin Hashim Thaçi, teksa është përgjigjur se ai ndodhet në Dhomat e Specializuara por që beson në drejtësi ndërkombëtare.
“Ai është në Hagë, ne besojmë në drejtësinë ndërkombëtare dhe ne besojmë në të vërtetën e vetme që Serbia ka kryer krime në Kosovë. Kosova do të pres që Gjyakta Speciale të përfundojë punën, por siç thashë e vërteta nuk mund të ndryshohet”, është shprehur Osmani./Express