Kandidati për deputet nga radhët e invalidëve civil synon Parlamentin

Kandidati për deputet nga radhët e invalidëve civil synon Parlamentin

Zgjedhjet 2021 February 12, 2021 - 16:00

Ishin fëmijë kur ranë në mina, të cilat ishin vendosur gjatë periudhës 1998-99 nga ushtria serbe. Tash, secili nga ta numëron mbi 25 vjet, dhe secili ka të humbur një gjymtyrë të trupit. Invalidët civilë në Kosovë nuk marrin më shumë se 136 euro pension invalidor.

Një protezë për të zëvendësuar këmbën e humbur kushton 5-7 mijë euro. Kurse, një pjesë e kësaj kategorie janë kryefamiljarë, e me shumën që marrin prej 130 eurove hyjnë: proteza, barnat, ushqimi, shkollimi i fëmijëve, pagesat komunale...

Avni Lubovci, drejtues i Shoqatës së të Plagosurve Civilë nga Minat (SHPCM), nuk ka reshtur së kërkuari drejtësi për ta. Me gjithë protestat e organizuar, letrat drejtuar institucioneve, apelet e tij për ndihmë, ai nuk u dëgjua. Pas shumë vitesh përpjekjesh që të luftojë diskriminimin ndaj invalidëve civil, Lubovci tani ka vendosur që të bëhet zëri i kësaj kategorie të margjinalizuar në shoqërinë tonë përmes kandidimit të tij si deputet në kuadër të partisë Nisma Socialdemokrate.

Ai synon që të bëhet pjesë e parlamentit që të dëgjohen dhe merren parasysh ankesat e invalidëve, të cilat pothuajse asnjëherë nuk u përfaqësuan nga deputetët në Kuvend.

“Një person që ka humbur dy gjymtyrët merr një pension 152 euro dhe të tjerët me pensione nga 120 euro deri 136 euro”, thotë ai, duke përshkruar gjendjen e rëndë të kësaj kategorie, mjete këto që nuk iu mjaftojnë të rregullojnë as protezat, të cilat plotësojnë gjymtyrët, e që i bëjnë të pavarur për të jetuar të barabartë me qytetarët e tjetër.

“Por që kanë një kosto të lartë dhe që pa proteza mbeten të ‘burgosur’ pa bërë asnjë krim. A nuk është ky diskriminim? Nuk kërkuam luks. Kërkuam e kërkojmë diçka që është e nevojshme, për të bërë një jetë normale”, tha ai.

Lubovci thotë se gjendja ekonomike e këtyre personave është e rëndë.

“Me këtë pension invalidor ata duhet rregullojnë protezat e shërimin e plagëve të tjera, pastaj shpenzimet mujore që i duhen një personi për të mbijetuar që është tejet e vështirë për t’ia dalë muajin, shumica e këtyre personave janë dhe mbajtës të familjeve. Fëmijëve të tyre as 1 për qind nuk mund t’ua plotësojnë kushtet”, thotë ai, duke theksuar se shumica prej tyre janë bërë barrë e rëndë për familjet e tyre. /Zëri

Image