PSD-ja lëshon një dron me imazhin e Kurtit: “Lideri suprem”
Partia Socialdemokrate ka mbajtur një aksion simbolik në sheshin “Skënderbeu”, nga ku ka lëshuar një dron fluturues me imazhin e kreut të LVV-së Albin Kurtit, të cilit i referohen si “lideri suprem”.
Në këtë imazh Kurti shfaqet i veshur si Kim Jongu i Koresë së Veriut.
Në një njoftim për media, PSD-ja së bashku me këtë fotografi ka bashkangjitur edhe një tekst.
“Një aeroplan lodër fluturon e tregon. Zhytja e thellë aty ku gëlon propaganda mbytëse krijon univers paralel, pa kohë e hapësirë. Një aeroplan lodër fluturon. Qielli do të mbetet i hapur, pa skaj, sepse liria është kushti njerëzor. Idetë e reja nuk do të mbarojnë sa t’ketë njerëzi. Kush pretendon fundin veçse i ka dhënë fund vetes. Kritika protestuese që kërkon liri e gjen gjithmonë rrugën e vet. Edhe kur regjimi ka pushtuar e mbërthyer çdo skutë, një formë e re do të gjendet. Ka qenë kështu edhe në distopitë më të errëta totalitare. Një aeroplan lodër fluturon. Shikojeni qiellin! Kërkoni idetë! Atëherë do ta shihni mbretin cullak!”, thuhet në tekstin e dërguar nga PSD-ja.
Gjatë ditës së sotme Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një tubim në sheshin “Skënderbeu”. Gjatë këtij tubimi pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës është parë edhe një mbishkrim i vendosur “Qeveria Kurti 2”. /Zëri