Kurti dhe Osmani fillojnë aktivitetin përmbyllës në Prishtinë
Foto: Laura Hasani

Kurti dhe Osmani fillojnë aktivitetin përmbyllës në Prishtinë

Zgjedhjet 2021 February 12, 2021 - 14:59

Kreu i LVV-së-Albin Kurti, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, është shprehur i bindur se do të dalë fitues në zgjedhjet e 14 shkurtit, raporton “Zeri.info”.

Kurti theksoi se dy brengat kryesore të qytetarëve janë papunësia dhe korrupsioni.

“Të gjithë ju e dini se dy brengat kryesore të qytetarëve edhe sipas çdo ankete vendore dhe ndërkombëtare janë papunësia dhe korrupsioni, vjedhja lart dhe varfëria poshtë janë të lidhura. Punësimi kryesisht me të njohur, hajnat e mëdhenj po ashtu me të njohur, vetëm prokuroria nuk është në dijeni e nuk po i njeh ata, ne do ta mundësojmë me qeverinë tonë edhe aktivizimin e prokurorisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, me fitoren e 14 shkurtit të LVV-së “e bukura fiton mbi shëmtinë, e drejta fiton mbi padrejtësinë”.

“Në zgjedhjet e së dielës mbështetje për ne do të jetë si shi i madh bereqeti për popullin e si vërshim lamtumirës për pushtetin. Me fitoren e 14 shkurtit e bukura fiton mbi shëmtinë, e drejta fiton mbi padrejtësinë. E vërteta fiton mbi mashtrimin, puna fiton mbi dembelinë, besa do të fitojë mbi tradhtinë, bashkëpunimi fiton mbi servilitetin, natyra mbi tymin dhe betonin”, u shpreh Kurti.

“Ne shqiptarët duam partneritet të fuqishëm me aleatët tanë, SHBA-në, NATO-n, BE-në, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën, Italinë dhe të gjitha shtetet e tjera që na duan të mirën. Si shqiptarë kujdesemi si askush tjetër për pakicat kombëtare, njëkohësisht duhet të jemi krenarë, duhet të kemi vetëbesim dhe të mos ndihemi të dobët, sepse jemi një komb e dy shtete. Kurrë mos e harroni, ngado mbajeni në mend që jemi një komb e dy shtete”, tha Kurti. /Zëri