Osmani: Kemi një mesazh për kapësit e shtetit, “ecni rrugës, sepse ndryshimi po vjen”
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një tubim në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, raporton “Zeri.info”.
Kandidatja për deputete në listën e kësaj partie, Vjosa Osmani, duke bërë thirrje që të votohet LVV-ja, ka dhënë një mesazh edhe për partitë e tjera, që siç i ka quajtur ajo kapësit e shtetit.
“Nuk ka asgjë më të mirë e më të ngrohtë sesa dashuria që e kemi marrë nga secili prej jush anekënd Kosovës. A e dini se cila është porosia që kemi marrë kudo që kemi shkuar: 127. Vota për numrin 127 është votë kundër korrupsionit. E kemi një mesazh për kapësit e shtetit: ‘ecni rrugës, sepse ndryshimi po vjen’”, ka thënë Osmani.
Ndërsa kreu i LVV-së Albin Kurti gjatë fjalimit të tij në këtë tubim tha se bashkëpunimi me Osmanin ka qenë një fuqizim për ndryshimin që sipas tij pritet të ndodhë në vend.
“Pas 10 ditësh fushate të jashtëzakonshme në këtë situatë të pazakontë, pas qindra takimeve me ju nga çdo cep i Republikës, ndryshimi që keni kërkuar kurrë nuk ka qenë më afër. Këtë ndryshim e ka fuqizuar jashtëzakonisht shumë bashkëpunimi që kemi bërë: LVV-ja dhe Lista Vjosa. Ne do ta realizojmë programin tonë KREJT dhe DREJT”, ka thënë ai. /Zëri