OSBE-ja mbështet trajnimin për votim përmes alfabetit Braille në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit

OSBE-ja mbështet trajnimin për votim përmes alfabetit Braille në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit

Zgjedhjet 2021 February 12, 2021 - 13:11

Më 12 shkurt 2021 Misioni i OSBE-së ka përfunduar një seri prej pesë punëtorish me Shoqatën e të Verbërve të Kosovës (SHVK) për të mbështetur votuesit e verbër dhe me shikim të dobësuar që të votojnë në mënyrë të pavarur në zgjedhjet parlamentare.

Në një njoftim për media, bëhet e ditur se në këto punëtori u trajnuan rreth 1.300 votues të verbër dhe me shikim të dobësuar se si të votojnë përmes modelit të Braille-it, i siguruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Votimi është një nga instrumentet e llogaridhënies në duart e njerëzve. Në një shoqëri demokratike, votimi është edhe përgjegjësi. Prandaj, duhet të ekzistojnë të gjitha kushtet për t’i mundësuar çdo personi në listën e votuesve që të hedhë votën e tij ose të saj, në mënyrë të pavarur dhe private”, u tha pjesëmarrësve të punëtorisë në Prishtinë, Kilian Wahl, ushtrues i detyrës së shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë.

“Ne të gjithë duhet të mbajmë mend se çdo votë është e barabartë dhe çdo votë llogaritet. Prandaj, ju mund të bëni ndryshim”, ka shtuar Wahli.

Punëtoritë u mbajtën nga trajnues të degëve të SHVK-së në mbarë Kosovën. /Zëri