Institucionet gati për ditën e zgjedhjeve, bëjnë thirrje të respektohen ligji e Kushtetuta
Instituti “Demokraci për Zhvillim” (D4D) ka mbajtur sot një takim me institucionet nënshkruese të Memorandumit të Bashkëpunimit për mbarëvajtjen e procesin zgjedhor.
Në një konferencë të mbajtur për media u bë thirrje për të gjithë qytetarët që në ditën e zgjedhjeve, më 14 shkurt, të respektohet Ligji për Zgjedhje, si dhe Kushtetuta e Kosovës. Po ashtu u kërkua nga qytetarët dhe mediet që për çdo parregullsi të raportojnë te organet kompetente.
Ndërsa kryetarja e KQZ-së Valdete Daka edhe një herë ka kërkuar nga partitë politike dhe votuesit që të respektojnë ligjin.
“Bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për t’u shërbyer zgjedhjeve të lira. Ftoj subjektet politike dhe votuesit që t’i përmbahen rregullit të KQZ-së, Ligjit për Zgjedhje dhe Kushtetutës dhe të dëshmojmë që jemi të aftë të organizojmë zgjedhje të lira”.
Edhe Laura Pula, nga Prokuroria e Shtetit, ka thënë se tashme janë përgatitur për zgjedhjet e 14 shkurtit. Ajo ka thënë se kanë angazhuar 88 prokurorë për atë ditë.
“Edhe ne kemi finalizuar të gjitha procedurat dhe kemi caktuar 88 prokurorë, të cilët do të operojnë me Policinë e Kosovës në ditën e zgjedhjeve që të mbrojmë votën e qytetarit. Fotografimi i votës nuk është vepër penale, mirëpo çdo person do të arrestohet me qëllim që ka fotografuar votën, sepse tregon që ka qenë i shtyrë ose i kërcënuar”, ka thënë ajo.
Kurse gjyqtarja e Gjykatës Themelore, Fatime Dërmaku, ka thënë se kanë angazhuar 30 gjyqtarë kujdestarë për 14 shkurt.
“Kemi caktuar 30 gjyqtarë për ditën e zgjedhjeve që do të kujdestarojnë dhe në Gjykatën Themelore të Prishtinës”, u shpreh ajo.
E nga Policia e Kosovës Arbnesh Ajvazi ka bërë thirrje që për çdo parregullsi në ditën e zgjedhjeve qytetarët të lajmërojnë në Policinë.
“Ne kemi marrë masa dhe kemi hartuar planin operativ, ne kemi ngritur kapacitetet e nevojshme dhe inkurajojmë qytetarët të njoftojnë policinë e Kosovës”.
Edhe PZAP-i ka bërë të gjitha përgatitjet sa i përket ditës së zgjedhjeve.
“PZAP-i që nga shpallja e zgjedhjeve ka marrë të gjitha masat dhe ka kryer të gjitha obligimet ligjore dhe janë angazhuar me kapacitet të plotë. PZAP-i ka punuar me orar të zgjatur dhe është duke punuar”, ka thënë Shukri Sylejmani, nga PZAP-i.
Ndërkaq Luan Latifi, nga Komisioni i Pavarur i Medieve, ka treguar se do të monitorohen 23 ofrues të shërbimeve programore.
“Duke marrë parasysh që mediet kanë rol të rëndësishëm, ne si KPM kemi mandat për monitorim të mediet. Ne si institucion brenda kapaciteteve humane bëjmë monitorimin të 23 ofruesve shërbimeve programore, fokus monitorimi prej orës 16:00 deri në orën 24:00. Për shkelje të parafushatës zgjedhore kemi hasur të 5 TV ku kanë bërë”, ka theksuar Latifi.
Florent Spahija, nga KDI-ja, ka thënë se në këto zgjedhje është zvogëluar numri i vëzhguesve nga 2500 në 500.
“Nga 2500 vëzhgues që kemi pasur, tani i kemi 500 vëzhgues. Kjo do të jetë sipas mostrës që e kemi përcaktuar”, bëri të ditur ai. /Zëri