Musliu e quan LVV-në parti pa identitet
Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, u shpreh në “Euronews Albania” se është shumë optimiste për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Musliu theksoi se PDK-ja ka një program të realizueshëm, ndryshe nga partitë e tjera.
Ajo hodhi edhe akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilën u shpreh se ka irrituar qytetarët me veprimet e fundit që ka bërë Albin Kurti në Mitrovicë të Veriut dhe në Drenicë.
“Skenat e frikshme që ka ofruar Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditëve të fushatës kanë irrituar në masë qytetarët dhe duan të rreshtohen mbas një partie që është e dëshmuar”, u shpreh Musliu.
Pyetjes së gazetares Esmeralda Mulaj se nëse stabiliteti politik do të kishte në themel një bashkëpunim mes PDK-së dhe LVV-së, Musliu iu përgjigj se Vetëvendosja është një parti pa identitet.
“Ne nuk duam që të merremi me të tjerët. Nuk merremi ne me partitë pa identitet, nuk merremi me ata që nuk i kanë ofruar asgjë Kosovës”, u shpreh ajo.