Hoti në Kodrën e Trimave: Të dielën qytetarët do ta dënojnë LVV-në me votën e lirë

Hoti në Kodrën e Trimave: Të dielën qytetarët do ta dënojnë LVV-në me votën e lirë

Zgjedhjet 2021 February 11, 2021 - 19:38

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, tha sot në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë se sa më afër që afrohet dita e diele, aq më shumë po bindet në fitoren e madhe që e pret në zgjedhje.

“Kosovarët janë qytetarët më proevropianë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës është partia e vetme e integruar në Evropë, pasi që jemi anëtare e Partive Popullore Evropiane. Këtë rrugë neve na e ka trasuar presidenti jonë historik Ibrahim Rugova, i cili në bazamentin e filozofisë së tij politike, e kishte integrimin në BE dhe miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Hoti.

Ai po ashtu komentoi edhe dhunën e kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi ndaj një qytetari të moshuar, duke thënë se qytetarët do të dënojnë me votën e lirë, siç ka nënkuptuar ai LVV-në.

“Shikoni fushatën vetëm 10 ditët e fundit. Njëri kryetar i tyre në Mitrovicë i ofendon ulët qytetarët e tij, ndërsa tjetri në Podujevë përdor edhe dhunë ndaj një personi të moshuar. Kjo është kultura e tyre politike, të cilën ditën e diele do ta dënojnë qytetarët me votën e lirë”, tha kandidati për kryeministër.

Ai shtoi se ‘partia e shiritave të kuq’ nuk kanë guxim të përballen as me oponentët politikë, as me gazetarët, sepse kanë frikë nga përballja me të vërtetën.

“Ata kanë frikë se para 14 shkurtit u zbulohet demagogjia. Përderisa ne krenohemi me historinë e partisë dhe kontributin për liri, demokraci dhe shtetndërtim, oponentët tanë kanë punësuar IT për të fshirë historinë e tyre të turpshme”, shtoi Hoti.

Hoti tha se “Kodra e Trimave”, është Dega e LDK-së cila i jep shpirt dhe frymë fitoreve të LDK-së.

"Kodra e Trimave është dega e cila qe 30 vite është fituese e të gjitha zgjedhjeve dhe se ju i jepni shpirt dhe frymë fitoreve të LDK-së”, tha Hoti. /Zëri