Hoti: Serbia do të njohë Kosovën brenda vitit 2021
Një rëndësi të veçantë pas zgjedhjeve ka zgjedhja e presidentit dhe dialogu me Serbinë. Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti tregon në “Balkan Talks” qëndrimin që do mbajë partia ku ai bën pjesë nëse vjen në pushtet.
“Institucionet nuk mund të formohen pa asnjë koalicion. Nuk kemi vija të kuqe, por respektimi i programit bën që të kemi vija të kuqe pasi duam të respektohet”, tha Hoti.
Ndërsa për zgjedhjen e presidentit ai shprehet se duhet një koalicion për të arritur votat e nevojshme.
“Të kemi shumicë parlamentare është synimi jonë dhe të udhëheqim qeverinë, por duhet të arrijmë rakordime për të zgjedhur presidentin dhe kjo ndodh pas zgjedhjeve”, shprehet ai.
Z. Hoti ka folur edhe për “Marrëveshjen e Uashingtonit” dhe komentin që ka bërë z. Kurti për këtë marrëveshje.
“Mashtrimi i propagandës së Vetëvendosjes që thonë që humba mundësinë e njohjes, pasi dialogu që kam bërë unë, kryeministrat para meje hezituan ta realizojnë. Në Uashington shkuam për marrëveshje ekonomike si hap drejt njohjes përfundimtare”, tha Hoti.
Ai e cilëson Albin Kurtin si mashtrues që ka qenë kundër ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Pyetjes se gazetarit Franko Egro se kur do ndodhë njohja e Kosovës nga Serbia ai i është përgjigjur se do ndodhë brenda 2021.
“Mendoj që njohja do ndodhë në 2021 dhe viti do mbyllet me nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave”, tregon kryeministri Hoti.
Ai foli edhe për qëndrimin që ka mbajtur qeveria që ai drejton për minishengenin Ballkanin.
“Ka ndryshuar koncepti dhe kjo ka çuar në mospjesëmarrjen tonë, pasi ka qenë zona e përbashkët doganore për të gjitha shtetet”, tregon Hoti. /euronewsal