Kurti: Mërgata e di që këto zgjedhje janë referendum për të ardhmen, çdo votë e bën ndryshimin
Lideri i LVV-së, Albin Kurti ka bërë thirrje që të dilet e të votohet në zgjedhjet e 14 shkurtit, raporton Zeri.info.
Përmes një videomesazhi në “Facebook”, Kurti ka thënë se mërgata po voton masivisht në zgjedhje dhe sipas tij ata e dijnë se këto zgjedhje janë referndum për të ardhmen.
“Mërgata jonë po voton masivisht në zgjedhje. Disa kanë paguar bileta të shtrenjta të aeroplanit, disa kanë shpenzuar qindra euro për të dërguar votën me postë, e të tjerët kanë bërë plane të nisën me autobusë e makina drejtë ndryshimit të madh më 14 shkurt. Sado që më zemëron padrejtësia ndaj mërgatës, zemra më mbushet me shpresë nga vullneti e dashuria e madhe që kanë ata për vendin e tyre. Sepse ata e dijnë se këto zgjedhje janë referendum për të ardhmen, ku çdo votë e bën ndryshimin”, ka thënë Kurti.
Kurti po ashtu ftoi edhe qytetarët e vendit që të dalin në zgjedhje, pasi që sipas tij nuk ka ndonjë arsye për të mos dalur.
“E ne që jemi në Kosovë nuk kemi arsye për të mos dalë, duhet të dalim të gjithë dhe së bashku të bëhemi pjesë e historisë këtë të dielë më 14 shkurt”, ka thënë ai në videomesazh. /Zëri