“Në fushatën elektorale në Kosovë gratë janë më shumë për dekor”

“Në fushatën elektorale në Kosovë gratë janë më shumë për dekor”

Zgjedhjet 2021 February 11, 2021 - 13:42

Gratë në këtë fushatë zgjedhore janë duke u anashkaluar. Ato po marrin pjesë pak në tubime, si dhe shumë rrallë paraqiten në debate televizive. Kjo situatë po cilësohet si mendësi patriarkale e vetë partive politike.

“Ne mendojmë që partitë politike në Kosovë janë duke shpërfaqur përsëri mentalitetin e tyre konservator e patriarkal, ku burrat janë duke i vendosur në të gjitha pozitat kyçe dhe burrat i kanë marrë numrat kryesorë në parti, vetëm 30% e grave janë në lista zgjedhore, burrat po shkojnë në të gjitha debatet e krejt kjo më shumë flet për partitë politike sesa për gratë në përgjithësi", u shpreh Leonida Molliqaj, nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA.

Për më tepër, mbajtjen e tubimeve elektorale nëpër oda, të cilat tradicionalisht e kanë përjashtuar praninë e femrës, e bëjnë edhe më të vështirë garimin e grave në jetën politike.

“Ne e kundërshtojmë si organizatë këtë mënyrë tradicionale të organizimit për shkak se ne e dimë që odat historikisht i kanë përjashtuar gratë dhe kjo tregon shumë se si partitë politike nuk e kanë të rëndësishme se a dëgjojnë gratë për planet e tyre politike, por edhe se si ata nuk i shtyjnë përpara përfshirjen e grave në politikë", tha më tej Leonida Molliqaj.

Kjo organizatë ka monitoruar deri më tani prezencën e grave si kandidate ose analiste në debatet televizive ndër më të shikuarat dhe prania e tyre është thuajse e pavërejtur.

Mospërfshirja e grave në fushatë për zgjedhjet e 14 shkurtit është evidentuar edhe nga rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”.

"Gratë përbëjnë 25% të pjesëmarrësve në aktivitetet zgjedhore, por vetëm 27% nga kandidatet gra i janë adresuar elektoratit. Në 259 debatet televizive të monitoruara nga 13 janari deri më 7 shkurt 2021 në 9 kanale televizive, gjithsej 402 kandidatë të subjekteve politike, vetëm 21% e tyre ishin gra", thuhet nga kjo organizatë.

Përveç kësaj, “Demokracia në Veprim” ka evidentuar në mënyrë të vazhdueshme shkelje nga subjektet politike të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Nga aktivitetet e vëzhguara dhe nga informatat e marra nga terreni nga vëzhguesit e DnV-së, një pjesë e madhe e subjekteve politike nuk i raportojnë këto ngjarje në këshillat komunalë zgjedhorë", u shpreh Ngadhnjim Halilaj.

Shqetësues mbetet fakti që subjektet politike vazhdojnë të mos respektojnë masat anti-COVID, duke tejkaluar numrat e lejueshëm të grumbullimit të qytetarëve në tubime publike. /euronewsal