Hoxhaj në Fushë Kosovë: Vetëm PDK-ja mund ta rimëkëmbë Kosovën
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka mbajtur tubim elektoral në Fushë Kosovë ku ka prezantuar Planin e Rimëkëmbjes.
Ai ka thënë se PDK-ja është e vetmja parti politike që mund ta rimëkëmbë Kosovën dhe është adresë e stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit.
"Ne jemi partia e vetme politike që në këto zgjedhje edhe për shkak të goditjes kemi dal me një platformë dhe platforma jonë është rimëkëmbje. Ne duam që ta rimëkëmbim Kosovën në planin politik, në planin ekonomik, në planin arsimor dhe në planin shëndetësor. Nuk e kemi bërë një platformë e cila përshkruan situata të paqena, por është një platformë konkrete, prandaj i ftoj qytetarët e Fushë Kosovës, sikurse i ftoj qytetarët e Kosovës që t'i besojnë PDK-së, se nën një ne jemi adresë e stabilitetit, ne jemi adresë e sigurisë, e zhvillimit, e përparimit, krahas një të panjohure, krahas një të rrezikshme, krahas një të paparashikueshme sikurse është Lëvizja Vetëvendosje", ka thënë ai.
Hoxhaj ka premtuar se gjatë qeverisjes së tij do të ketë rritje të pagave për mësimdhënësit, policët, mjekët e infermierët ka theksuar se do të rritet edhe paga mesatare në 300 euro, si dhe pensionet në bazë të kategorive.
"Ne në këto zgjedhje garojmë që ta përmirësojmë jetën e secilit në Kosovë. Së pari e dimë që një pjesë e qytetarëve janë goditur prej pandemisë për shkak të rritjes së numrit të papunëve, së dyti janë goditur në shëndetin e tyre për shkak të përhapjes së virusit, së treti ka shkolla në Fushë Kosovë sikurse Mihal Grameno e cila ka humbur disa orë dhe disa javë mësim dhe për të cilin ju e dini dhe unë e di se si ka ndodhur. Nuk ka parti politike e cila do t'i zgjidh këto sfida të zhvillimit, të shëndetit dhe të arsimit sikurse PDK", ka thënë ai./Zëri