PSD-ja në billbordet e Kurtit e Osmanit vendos sloganin “Baba i madh po ju vëzhgon”

PSD-ja në billbordet e Kurtit e Osmanit vendos sloganin “Baba i madh po ju vëzhgon”

Zgjedhjet 2021 February 10, 2021 - 17:04

Partia Socialdemokrate ka zhvilluar sot një aksion simbolik, ku ka sulmuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe liderin e saj, Albin Kurtin.

Aktivistët e PSD-së në këtë aksion kanë vendosur një mesazh në gjuhën angleze, “Baba i madh po ju vëzhgon” nëpër billbordet ku shihen Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, transmeton Zeri.info.

“Figura e babës është e gjithëpranishme. Një rend i tillë nuk ka nevojë për kontroll e mbikëqyrje, sepse fryma e përditshme përshkohet nga autocensura. Në fund të fundit, baba edhe kur e ka keq, e ka mirë, apo jo? Figura e babës dhe ajo e autoritetit suprem janë fytyrat e disiplinës e kontrollit, moralit e fajit. Baba nuk e lejon ndërgjegjen e dytë në truallin e tij. Syri i tij bëhet shikimi yt, sepse ai nuk pretendon që është vetëm shteti, por ngadalë insiston të bëhet shoqëria. Si pjesë e këtij procesi të ri, lindin normat”, thuhet në komunikatën e PSD-së pas aksionit.

Kjo parti ka përmendur edhe mënyrës e fushatës që po e bën Vetëvendosja, e cila, siç kanë thënë ata, është një ritual politik i një regjimi të ri.

“Përmes ceremonialeve e simboleve të shpikura e të përvetësuara, me himn partie e shami shesheve, realizohet rituali politik i një regjimi të ri. Aty nuk ka qendra mendimi, por vetëm vegla kufizimi. Mjafton ta lexojmë këtë aspekt për ta kuptuar sforcimin që përmes ritualit mundohet të konvertohet në besim. Regjimi i Kurtit rregullohet nga ligjet e veta. Një mentalitet politik i cili mendon se e mira publike mund të përcaktohet dhe kuptohet, në tërësinë e saj, vetëm nga një lloj i qeverisjes, dhe të shtrihet deri në kapjen e secilit segment, nuk bënë gjë, përveç se ushtron tashmë dhunë, përmes ligjërimit publik. Në përdorimin e gjuhës si në sloganin ‘Krejt dhe drejt’ institucionalizon mënyrat e konfliktit, në përpjekje për t'i sheshuar ato”, thuhet në komunikatë.

PSD-ja akuzon Vetëvendosjen edhe se kanë qëllime për ta fshirë të kaluarën.

“E kaluara dhe e ardhmja fshihen, sepse përjetësohet e tashmja. Fshirja e të kaluarës bëhet për përjetësimin e pushtetit të tashëm i cili prodhon dijen e re për faktet e vjetra. Ky është rend që zapton hapësirën dhe lë jashtë kohës çdo mundësi. Por për dallim nga e kaluara, ne nuk do të lejojmë që rasti i Kosovës të shndërrohet në tregim distopian”, thuhet në fund të komunikatës. /Zëri

Image