Hoti: Oponentët tanë ishin kundër planit të Ahtisaarit, që solli pavarësinë e Kosovës

Hoti: Oponentët tanë ishin kundër planit të Ahtisaarit, që solli pavarësinë e Kosovës

Zgjedhjet 2021 February 10, 2021 - 13:40

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, gjatë një tubimi elektoral në Viti tha sot se oponentët tanë politikë asnjëherë nuk kanë besuar në projektin e pavarësisë së Kosovës, madje në shkurt të vitit 2008 ata nxorën protestuesit në rrugë, ku u vranë qytetarë të pafajshëm, pasi nuk besonin në planin e Ahtisaarit, që solli pavarësinë e Kosovës.

“Ata edhe sot janë kundër aleancave tona me partnerët amerikanë dhe evropianë. Ata ishin kundër Marrëveshjes së Rambujesë, që solli lirinë e Kosovës, ata ishin kundër planit ‘Ahtisaari’, që solli pavarësinë e Kosovës, ndërsa vitin e kaluar ishin kundër Marrëveshjes së Washingtonit, që solli një miliard investime në Kosovë, njohjen nga Izraeli, heqjen e sanksioneve amerikane dhe përfshirjen e FSK-së në misione paqësore”, tha Hoti.

“Lidhja Demokratike për 30 vjet ka qenë në ballë të proceseve të vështira të lirisë, shtetndërtimit dhe zhvillimit të Kosovës. Në gjithë historinë tonë prej tri dekadash nuk jemi shmangur asnjëherë nga përgjegjësitë shtetërore. Gjithmonë kemi mbrojtur shtetin dhe interesat e qytetarëve të Kosovës. Këtë kulturë politike e kemi të trashëguar nga arkitekti i pavarësisë së Kosovës, presidenti Rugova”, tha kandidati për kryeministër.

Ai shtoi se kanë vepruar edhe në pranverën e vitit të kaluar, kur e ndaluan një qeverisje që nisi të dëmtonte shtetin dhe kanë marrë përgjegjësinë për të qeverisur në momentet më të vështira në 20 vjetët e fundit, pasi kanë qenë të vendosur të mos lejojnë cenimin e miqësisë speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hoti tha se gjatë qeverisjes me duar të pastra Vitia ka ndryshuar komplet pamjen.

“Kryetari Haliti është një njeri tipik i kuadrove të LDK-së, që flasin pak e punojnë shumë për interesat e qytetarëve. Ne nuk jemi si oponentët tanë të kuq, që i rrahin qytetarët, siç bëri kryetari i partisë linçuese në Podujevë. Asnjëherë, kurrë, asnjë kryetar komune i LDK-së nuk ka pasur asnjë përleshje verbale me ndonjë qytetar e të mos flasim për dhunë fizike siç po përdor Shpejtim Bulliqi në Podujevë”, shtoi Hoti. /Zëri