Mustafa reagon ndaj LVV-së për shamitë e kuqe të vendosura nëpër pemët e kryeqytetit

Mustafa reagon ndaj LVV-së për shamitë e kuqe të vendosura nëpër pemët e kryeqytetit

Zgjedhjet 2021 February 10, 2021 - 10:12

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për vendosjen e disa shamive të kuqe në rrugët e Prishtinës.

Sipas Mustafës, vota është shprehje e vullnetit politik, e bindjeve, por edhe e perceptimit, transmeton “Zeri.info”.

“Vota është vendimmarrje e qytetarit. Për të marrë vendim element themelor është informata”, thotë ai.

Derisa pyet qytetarët nëse janë të informuar se çfarë paraqesin këto shami të kuqe e çka do të thotë “Republika e Tretë”.

“Nuk jam i sigurt se qytetari është i informuar se çfarë paraqesin shallet e kuq të lidhur në drunjtë e Prishtinës dhe jo vetëm aty, për të ardhmen e vendit. Çfarë është simbolika dhe mesazhi i marsheve në sheshet e qytetit tonë? Çfarë është ‘Republika e Tretë’?”, shkruan tutje Mustafa në “Facebook”.

“Një shtet e bëmë me SHBA-në dhe me partnerët tanë evropianë, të zotuar për demokracinë perëndimore. Ndërkaq, LVV-ja duhet ta qartësojë se cilët janë partnerët e saj për ‘Republikën e Tretë’. Ndryshe, në qoftë se votohet vetëm me emocione, rrezikojmë të vejmë shallat e kuqe rreth qafe, të marshojmë si në Revolucionin Kulturor Kinez e të mbesim pa asnjë republikë! Vota është përgjegjësi ndaj shtetit tonë! IM”, përfundon ai. /Zëri