Kurti qëndrim të prerë ndaj kundërshtarëve politikë: S’bëjmë koalicione pas zgjedhjeve
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër në Kosovë, Albin Kurti thotë se nuk do të bëjë koalicione pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ai shprehet se ky objektiv është përcaktuar para zgjedhjeve në bashkëpunim me Vjosa Osmanin.
“Numri 127 është numri i fitores, por kësaj radhe fitorja nuk është vetëm të dalim të parët se dihet që dalim ne të parët se nuk ka kush del i pari. Fitorja është 61 deputetë e më shumë, na duhet shumicë parlamentare se nuk do të bëjmë koalicione pas zgjedhjeve, ato i kemi bërë para zgjedhjeve, Vjosa Osmani dhe unë”, tha ai.
Në takim me qytetarët në Shtime, Kurti tha se objektivi madhor së bashku me Vjosa Osmanin është të fitojnë të paktën 61 deputetë.
Presidentja në detyrë Vjosa Osmani, e cila në këto zgjedhje garon në listë me Lëvizjen Vetëvendosje, theksoi se Kosova ka nevojë të udhëhiqet nga njerëz të pastër para ligjit.
"Ata duhet të shkojnë në opozitë të gjatë, sepse kanë nevojë edhe ata vetë, por më së shumti ka nevojë Kosova që të udhëhiqet nga njerëz të pastër para ligjit, nga njerëz të pa korruptueshëm”, tha Osmani.