FSSHK-ja thotë se partitë politike janë duke rrezikuar shëndetin e popullatës në përgjithësi
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës thotë se është duke përcjellë tubimet publike të partive politike garuese në zgjedhjet e parakohshme, të cilat nuk po u përmbahen masave të përcaktuara me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe rekomandimeve të IKSHPK-së.
Sipas tyre, partitë politike janë duke rrezikuar në masë të madhe shëndetin e popullatës në përgjithësi dhe të punëtorëve shëndetësorë në veçanti, “sepse studimet e fundit në Britaninë e Madhe kanë treguar se punëtorët shëndetësorë janë 4 deri në 5 herë më të ekspozuar (rrezikuar) ndaj infektimit se pjesa tjetër e popullsisë”.
“Në situatë me pandeminë COVID-19 patriotizëm, atdhedashuri dhe përkushtim për vendin tregojnë të gjithë ata që respektojnë masat, vendosin maskat, respektojnë distancën sociale e këtë gjë nuk po e shohim tek partitë politike pa përjashtim”, thonë ata përmes një komunikate.
“Andaj, FSSHK-ja, e shqetësuar tej mase me sjelljet e figurave politike, sikurse nuk ekziston virusi, sikurse jemi në situatë normale, paralajmëron të gjitha partitë politike që përgjegjësia në rast të rritjes së numrit të infektuarve me COVID-19 bie mbi ta dhe për këtë do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore deri në parashtrim të padisë për rrezikim të shëndetit të përgjithshëm të popullatës e në veçanti të punëtorëve shëndetësorë”, thuhet tutje në komunikatën e FSSHK-së, transmeton “Zeri.info”.
“Më mirë një jetë e shpëtuar sesa një votë më shumë”. /Zëri