Hoti: Nuk ka qytetar që s’ka përfituar nga ndihmat e shtetit gjatë qeverisjes sime

Hoti: Nuk ka qytetar që s’ka përfituar nga ndihmat e shtetit gjatë qeverisjes sime

Zgjedhjet 2021 February 09, 2021 - 13:58

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të martën në tubimin zgjedhor në Malishevë se kundërshtarët e LDK-së në këtë proces zgjedhor janë njerëzit që i kanë kundërshtuar vazhdimisht proceset e rëndësishme që ka kaluar Kosova në 30 vjetët e fundit.

“Këta që i kemi në garë nuk janë të sotëm, i kemi pasur pengesë në rrugën e shtetndërtimit qe 30 vjet, kanë qenë pakicë që nga kanë bërë pengesa në procesin e shtetndërtimit. Disa që këta të majtit i kanë idol, bënin thirrje që për të dalë në zgjedhjet e Serbisë. Janë vrarë njerëz për ta kundërshtuar Planin e Ahtisaarit, njëjtë na e kanë bërë edhe Marrëveshjen e Washingtonit, veç s’kanë pas guxim me na sjell dhunë siç bënë për çështjen e kauzës së rreme të demarkacionit. Marrëveshja e Washingtonit e fuqizon shtetësinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha Hoti.

Kandidati i LDK-së tha se nuk ka qytetar në Kosovës që nuk i din arsyet pse u rrëzua qeveria e kaluar, sikur që nuk ka qytetar që nuk i di punët e mira që i ka kryer qeveria e drejtuar nga LDK-ja në këta muajt e fundit.

“E kemi gjetur këtë vend të izoluar me sanksione ekonomike nga SHBA-ja, nga kërcënimi për tërheqjen e trupave amerikane, e kemi mbyllur vitin me vendimin që FSK-ja të dërgohet në misione paqeruajtëse dhe vendimin tjetër për investime amerikane në vlerë 1 miliard euro. Në fushatë ishim kur e morëm njohjen nga Izraeli, që është rezultat i Marrëveshjes së Washingtonit, për të cilën jemi sharë në mënyrë të vazhdueshme”, tha Hoti.

Ai u shpreh i bindur se qytetarët e Kosovës do ta vlerësojnë punën e LDK-së më datën 14 shkurt.

“Nuk ka qytetar që s’kanë përfituar nga ndihmat e shtetit, qoftë ata me ndihma, sociale, bujqit, bizneset, mjekët, arsimtarët etj. Më 14 shkurt këtë të diel ne do të festojmë, sepse kanë me na votu bizneset, bujqit, arsimtarë, mjekët, të gjithë pa përjashtim”, tha kandidati i LDK-së, Avdullah Hoti.