KOMF: Mbani fëmijët larg aktiviteteve zgjedhore!

KOMF: Mbani fëmijët larg aktiviteteve zgjedhore!

Zgjedhjet 2021 February 09, 2021 - 11:15

KOMF-i apelon te subjektet politike, të cilat janë pjesë e fushatës elektorale për zgjedhjet nacionale, që të mos i shfrytëzojnë fëmijët në kuadër të fushatës zgjedhore.

Sipas tyre, përfshirja e fëmijëve në fushatë elektorale nga subjektet politike përbën shkelje të të drejtave të tyre, shfrytëzim e në të njëjtën kohë nuk është në interesin më të mirë të fëmijës.

“Për më tepër, përfshirja e fëmijëve në aktivitetet e fushatës zgjedhore gjatë kësaj periudhe përbën rrezik të drejtpërdrejtë edhe për shëndetin e tyre për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia”, thuhet në një komunikatë nga KOMF-i.

KOMF-i bën me dije se përfshirja e fëmijëve në fushatë zgjedhore është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, ndërsa u bën thirrje prindërve të mos i politizojnë fëmijët.

“KOMF-i i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të monitorojë aktivitetet e subjekteve politike dhe të ndërmarrë masat duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, në rastet kur konstatohet përfshirja dhe shfrytëzimi i fëmijëve. KOMF-i u bën thirrje prindërve që të mos i politizojnë fëmijët, të mos i marrin fëmijët në aktivitetet të cilat organizohen nga partitë politike dhe të vetëdijesojnë fëmijët për të mos e ndërprerë procesin mësimor për qëllime të pjesëmarrjes në aktivitetet e partive politike gjatë fushatës elektorale”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu u bëhet thirrje edhe mediave, të cilat mbulojnë fushatën zgjedhore, që të marrin një rol aktiv për publikimin e rasteve ku fëmijët shfrytëzohen për qëllime partiake gjatë fushatës elektorale, gjithmonë duke mbrojtur identitetin dhe integritetin e fëmijës. /Zëri