Hoti: Paga dhe pensioni minimal do të jetë 300 euro
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të dielën në Arllat të Drenasit se me qeverisjen e LDK-së gjatë mandatit të ardhshëm pagat dhe pensionet minimale në Kosovë do të jenë 300 euro.
Në qytetin e Drenasit, kryeministri në detyrë shpalosi programin e tij për rininë dhe punësimin. Ai premtoi se qeveria e tij do të jetë partner i bizneseve dhe askush nuk do cenoj punën e tyre duke u dërguar inspektorë për t'i gjobitur.
“Ne kemi plan konkret për 4 miliardë euro investime publike prej tyre 1 miliard tashmë janë zotuar nga Marrëveshja e Uashingtonit. Në fushën e rinisë, do të fuqizohen kapacitetet e organizatave rinore dhe mekanizmave përfaqësues të rinisë. Do të krijohet korniza adekuate rregullative, në mënyrë që të garantohet pjesëmarrja e të rinjve në nivele të ndryshme vendimmarrëse, si dhe do t’iu kushtohet kujdes i veçantë grupeve të margjinalizuara të të rinjve”, tha Hoti.
Sipas tij, rinia do të mbështetet duke ofruar arsimim cilësor në profile arsimore mbi bazat e nevojave të tregut të punës. “Do të zhvillohet skema për mbështetje për punësim të të rinjve, subvencionimit të ndërmarrësve të rinj, lehtësira për tranzicion nga shkolla në punësim, mundësi për punë praktike duke bashkëpunuar ngushtë me ndërmarrjet, promovim i punës vullnetare, trajnim i vazhdueshëm për integrim në tregun e punës, ndihmë për banim për studentët, mbështetje qendrave për inovacion të të rinjve, etj”, shtoi Hoti.
“Ai tha se do të punohet në krijimin dhe zbatimin e masave lehtësuese për çështjen e banimit për familjet e reja, pastaj në njohjen e punës vullnetare si përvojë e punës si formë e tranzicionit nga shkollimi në punësim, rritja e mbështetjes financiare për organizatat rinore, mbështetje e bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare rinore, etj”, tha kryeministri Hoti.
Kryeministri në detyrë foli edhe për projektet që qeveria e tij ka zbatuar në Drenas. “Kemi investuar në këto projekte: ujëmbledhësi për ujë të pijes në Fshatin Verboc – Drenas, ndërtimi i rrugës transit Drenas -Kroni i Mbretit, zgjerimi i rrugës Komoran-Drenas-Skenderaj, ndërtimi i shkollës së mesme profesionale në Komoran etj”, tha kandidati i LDK-së për kryeministër. /Zëri