Hoti: Letra e Bidenit për Serbinë, vulosi miqësinë Kosovë-SHBA të ndërtuar nga LDK-ja
Foto: Laura Hasani

Hoti: Letra e Bidenit për Serbinë, vulosi miqësinë Kosovë-SHBA të ndërtuar nga LDK-ja

Zgjedhjet 2021 February 07, 2021 - 13:35

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, tha të dielën gjatë tubimit elektoral në Vushtrri se raportet Kosovë-SHBA, u kthyen në rrugën e duhur falë qeverisjes së LDK-së.

“Që nga dita e parë kam punuar për të sjellë normalitet në qeverisje. Pra formula ishte normalitet, stabilitet dhe zhvillim dhe kjo u shpagua. Vetëm pas disa muajsh unë mora ftesë dhe shkova në Shtëpinë e Bardhë për marrëveshjen që e fuqizoi shtetin e Kosovës si në ekonomi, ashtu në fushën diplomatike, duke sjell njohjen nga Izraeli. Sot doli një letër e presidentit të ri amerikan, Joe Biden që e vulosi miqësinë Kosovë-SHBA, miqësi të cilën e filloi, e ndërtoi dhe e ruajti, LDK-ja e presidentit Rugova”, tha Hoti.

Sipas tij, vetëm LDK-ja mund të çojë përpara procese të mëdha.

“Vetëm LDK mund të çojë përpara procese të mëdha. Ne jemi njerëz të dëshmuar që kërkojmë besimin tuaj më 14 shkurt për të vazhduar me përmbylljen e procesit të dialogut, me zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, me ndërtimin e rrugës nga Prishtina, jo vetëm deri në Vushtrri, por deri në veri të Kosovës. Ne nuk jemi njerëz që shkojmë në veri për të rrahur gjoks, por punojmë për zhvillimin e gjithë Kosovës. Ne as nuk dalim në rrugë për të folur me megafon dhe për të shpërndarë parulla si në regjimet e mëparshme”, tha Hoti duke shtuar se kjo parti e ka obligim që ta mbroj shtetin.

“Faktet janë fakte, e shteti, shteti, dhe LDK e ka obligim do ta mbroj shtetin e Kosovës nga ata që po angazhohen për ta rrënuar atë”, tha Hoti. /Zëri/