Lekaj: Për ne qytetari është mbret, pa AAK-në s’ka Qeveri

Lekaj: Për ne qytetari është mbret, pa AAK-në s’ka Qeveri

Zgjedhjet 2021 February 07, 2021 - 08:39

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se pa AAK-në nuk mund të formohet Qeveria e re e Kosovës.

Lekaj tha se në këto zgjedhje synojnë t’i kenë 20 deputetë në Kuvend, pasi thotë se është rritur mbështetja e qytetarëve ndaj AAK-së.

“Sa i përket këtyre zgjedhjeve unë mendoj se janë duke shkuar normalisht pa ndonjë ngarkesë të madhe por meqë unë jam në terren dhe komunikojë me shumë qytetarë e shoh një disponim shumë të mirë pro Aleancës. Nuk e them pse unë garojë në listën e Aleancës por e shoh te mbështetja e qytetarëve. Nuk ka ditë që nuk komunikojmë drejtpërsëdrejti me qindra qytetarë dhe aty e shoh atë mbështetjen që po ia bëjnë aleancës dhe shoh shumë të rijnë të cilët janë rreshtuar kah Aleanca. Çdo subjekt politik hynë në garë për t’i fituar zgjedhjet. Ne si Aleancë synojmë 20 deputet dhe është reale në bazë të asaj që kam parë në terren jo vetëm nga Gjakova por në përgjithësi në Kosovë”, shtoi Lekaj.

Lekaj thotë se programi qeverisës i tyre do të ndihmojë në rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

“Ajo që e karakterizon programin qeverisës është se ne kemi propozuar diku 1 miliard euro për rimëkëmbjen ekonomike. Meqë jemi në një vit bukur të vështirë të pandemisë dhe ekonomia e Kosovës ka rënë dukshëm. Prandaj me një miliard euro ne kemi menduar që të rimëkëmbet ekonomia dhe shumë ndërmarrje private. Andaj nuk duhet anashkaluar shëndetësinë, arsimin, kulturën. Ne prioritet do ta kemi edhe shëndetësinë duke forcuar mjekësinë familjare dhe duke bërë zonimin e pacientëve. Ne do të insistojmë të kemi edhe sigurime shëndetësore. Aleanca është e vendosur që të ketë reforma edhe në shëndetësi, arsim dhe drejtësi. Unë nuk do të përqendrohem vetëm në një fushë edhe pse vijë nga fusha e mjekësisë që shkojnë drejtpërdrejtë te qytetarët dhe mendoj se do t’ia dalim që në legjislaturën e ardhshme të kemi cilësi të deputetëve të përgatitur mirë që punojnë në shërbim të qytetarëve”, shtoi ai.

Tutje, ai thotë se ka pasur neglizhencë sa i përket veprimit të marrjes së masave parandaluese për përhapjen e Coronavirusit.

“Ka pasur një neglizhencë sa i përket masave sepse është dashur të veprohet më shpejt. Unë nuk kam parë mbështetje sepse nuk kanë mundur të mbërrijnë te qytetarët . Ekonomia nuk është ndihmuar sa duhet dhe ne si Aleancë që në ditën e parë këtë fondin që e kemi miratuar sepse aleanca mendoj se do të jetë pjesë e Qeverisë sepse pa Aleancën nuk do të formohen as Qeveria as presidenti. Dhe mendoj që në këtë ekonomi të dëmtuar gjatë pandemisë ne duhet ta rimëkëmbim me shumën prej 1 miliardë euro”, shtoi Lekaj.

Ndërsa sa i përket mos kandidimit të Albin Kurtit dhe të tjerëve, Lekaj ka thënë se nuk do ta kishte penguar që Kurti t’i prijë listës si kandidat për deputet të Vetëvendosjes, por thekson se duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Në demokraci nuk di pse ka ndodhur kjo, mirëpo ne duhet të respektojmë Gjykatën Kushtetuese që është mburojë e shtetit të Kosovës por asgjë nuk më kish penguar që zotëri Kurti t’i prijë listës së Vetëvendosjes”, shtoi ai.

Lekaj tha se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës synon ta ketë pozitën e presidentit që është mburoja e shtetit të Kosovës.

“Ne do të kemi reforma ekonomike, shëndetësore, arsimore dhe do të forcohet ligji, do të luftohet korrupsioni dhe ajo që karakterizon aleancën është që ne synojmë ta kemi pozitën më të lartë presidentin e vendit që është mburoja e shtetit të Kosovës kur dihet që ne do të hyjmë në dialog me Serbinë dhe mendoj që personaliteti kryesor i tërë spektrit politik do të ishte presidenti në ardhje Ramush Haradinaj”, shtoi Lekaj.

Mes tjerash, ai tha se Ramush Haradinaj ka dëshmuar se nuk bën kompromise në dëm të Kosovës.

Në fund, Lekaj shtoi se mbret për ta është qytetari i cili do të vendos për të ardhmen e vendit.

“Ne kemi dalë me një program të qartë për qytetarët dhe ajo që e ka karakterizuar Aleancën është lideri që ka treguar mbrojtje të vendit dhe është dëshmuar për disa herë që Ramush Haradinaj nuk ka kompromis në dëm të vendit por është udhërrëfyes i asaj që e kërkojnë qytetarët për forcimin e shtetit, forcimin e ligjit dhe rimëkëmbjen ekonomike. Për ne mbret është qytetari dhe ai do të vendos me 14 shkurt”.